Kaloni te përmbajtja kryesore

“Problem” zgjedhja e presidentit

Një cikël takimesh ka nisur të premten që lamë pas midis kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, si dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Por, asnjëri takim nuk ka prodhuar rezultate konkrete. Për dallim nga Hamza, i cili ka vendosur të qëndrojë në opozitë, Abdixhiku e ka lënë të hapur mundësinë për vazhdimin e diskutimeve me Kurtin.

Megjithatë, analisti politik , Blerim Canaj, është skeptik se mund të ketë marrëveshje LVV-LDK. Sipas tij, edhe nëse do të ketë një marrëveshje, palët nuk do të mund ta zgjedhin presidentin, duke e ditur se brenda LDK-së nuk janë unikë të 18 deputetët e këtij subjekti politik.

“Ka elemente që tregojnë dëshirë për marrëveshje, por nuk pres që të ketë një marrëveshje, për shkak se, së pari, ne e dimë situatën që është brenda LDK-së. Do të ishte mirë që LDK-ja të arrinte t’ia siguronte numrat kryetarit të partisë së vet për të arritur te presidenti. Në anën tjetër, LVV-ja i ka ofruar PDK-së postin e kryetarit të Kuvendit dhe ndonjë ministri, diçka që nuk e besoj se PDK-ja do ta pranonte, sepse nuk do të siguroheshin balancat e pushtetit. Kjo do të arrihej vetëm me pozitën e presidentit. Nuk pres që të ndodhë diçka tjetër, përveç lojërave politike, sepse krijohet përshtypja se kur të shkohet në zgjedhje do të thuhet se ‘ne deshëm, por nuk arritëm marrëveshje’.”, tha Canaj për rtv21

Ndërsa, analisti politik Arbnor Sadiku vlerëson se brenda LVV-së Kurti ka presion që të arrijë marrëveshje politike me LDK-në për formimin e institucioneve, ku do të përfshihej edhe çështja e presidentit. Sipas tij, pjesëmarrja e Vjosa Osmanit në takimin Kurti-Abdixhiku është një sinjal se mund të ketë përafrim për bashkëpunim mes LVV-së dhe LDK-së.

“Shumica e partive politike janë betonuar në qëndrimet paraprake. Ajo që ishte pak më ndërvepruese ishte fakti që Kurti e konfirmoi se janë të hapur të negociojnë jo vetëm për postin e presidentit. Njëkohësisht, ishte i qartë edhe qëndrimi i Lumir Abdixhikut që të ketë një përfaqësues të tyre përpara se të arrihet ndonjë marrëveshje. Kam përshtypjen se eksponentë të LVV-së mund të bëjnë presion për marrëveshje, sepse janë lodhur nga zgjedhjet.”, u shpreh Sadiku për rtv21

Por, të dy analistët e shohin me vështirësi zgjedhjen e presidentit të ri pa pasur një marrëveshje më të gjerë politike, përmes së cilës do të krijohej një shumicë e konsiderueshme parlamentare. Ndryshe, sipas analistëve Blerim Canaj dhe Arbnor Sadiku, posti i presidentit është duke u kalkuluar për pazare politike.

“Neve çështja e presidentit na ka dërguar në zgjedhje. LVV-ja e ka pasur përqindjen më të madhe të votës dhe i ka pasur numrat për kryeministrin, mund t’i ketë edhe tani. Ne nuk e kemi problemin te Qeveria. Numrat për Qeverinë dhe kryetarin e Kuvendit janë, por problemi është te presidenti. Më duket se është disi e pamundur. Po t’i kishte LDK-ja të sigurt numrat e partisë së saj, ndoshta do të zgjidhej, por momentalisht numrat në LDK janë 8 deri në 10.”, theksoi Canaj.

“LVV-ja e dërgoi vendin në zgjedhje duke thënë se ose e zgjedhim një kandidat konsensual ose e bëjmë Glauk Konjufcën. E kundërta ndodhi dhe vendi shkoi në zgjedhje.”, deklaroi Sadiku.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas takimeve që kishte me liderët e PDK-së dhe LDK-së, tha se për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë i kanë votat, por për zgjedhjen e presidentit kërkohet edhe bashkëpunimi i partive të tjera parlamentare. Ndërkaq, partitë e ish-opozitës thonë se partisë fituese të zgjedhjeve, LVV-së, i takon të gjejë zgjidhje përmes një marrëveshjeje kompromisi. Takimet me Kurtin i ka refuzuar kryetari i AAK-së, Ardian Gjini./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button