Procedohet në Kuvend Projektligji për pensionet e zyrtarëve policorë

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka shqyrtuar Projektligjin për pensionet e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e inspektoratit policor të Kosovës me autorizim policor, nismë kjo e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe i njëjti është proceduar për në seancë.
Por nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje u tha se nuk do të votojnë këtë nismë meqë sipas tyre është qeveria ajo që do të sjell Projektligjin për pensionim te parakohshëm.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se Policia e Kosovës ka nevojë për një ligj të tillë.
“Vërtet Policia e Kosovës ka nevojë për të pasur një ligj të tillë. Me këtë projektligj propozohet rregullimi ligjor i kohës të së drejtës në pension. Do të rregullohen kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve”, ka thënë ajo.
Në këtë projektligj janë propozuar 4 lloje të pensioneve, i rregullt, invalidor, familjar dhe vullnetar.
“Po rrezikohemi të jemi policia më e vjetër në rajon, ne kemi ardh në përfundim që është nevoja të marrim këtë iniciativë, t’i propozojmë Kuvendit nxjerrjen e këtij ligji. Pres që në mes të dy leximeve të jepen rekomandime që ky projektligj të përfundojë si ligj dhe të jetë i aplikueshëm”, përfunduar Musliu.
Por deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli ka thënë se nuk do të marrim pjesë në votimin e kësaj nisme meqë sipas tyre është jo serioze.
“Sponsorizuesi apo deputetët e PDK-së që kanë filluar këtë nismë është dashur që të merren vesh dhe të inkurajojnë edhe deputetët e PDK-së që fillimisht ta votonin marrëveshjen ndërkombëtare për financimin e një projekti për skemat sociale dhe pensionale me çka do të hapej rruga edhe qeveria të fillojë këtë nismë për komplet skemat pensionale sepse ne që në fillim e kemi thënë, siç kemi thënë edhe do ta bëjmë edhe Ligjin për pensionim edhe për Policinë e Kosovës”, ka thënë Dugolli.
“Qe dy herë radhazi është rrëzuar një marrëveshje ndërkombëtare, PDK dhe LDK e rrëzuan , ajo marrëveshje do të vije prapë në Kuvend dhe thërras kolegët deputetë ta votojnë këtë marrëveshje ndërkombëtare dhe pastaj të punojmë të gjithë së bashku por kjo ka një rend, qeveria bën planifikimet dhe ajo të na sjell Ligjin për pensionim për Policinë e Kosovës por edhe ligjin që rregullon njëherë e mirë skemat pensionale”, ka shtuar ai.
Ndërsa deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre dhe të përkrahin këtë nismë.
“Nganjëherë kolegu Enver nuk e di çka flet, ja fut kot, deputeti nuk vjen këtu me bë lojna, por propozojnë ligje”, ka thënë ai.
“E di çka po flas, nëse nuk do me kuptu është tjetër çështje. Nuk themi që jemi kundër ligjit për pension të parakohshëm të Policisë së Kosovës. Ka qenë premtim i yni dhe kjo do të bëhet”, është përgjigjur Dugolli.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi ka thënë se iniciativa e deputetëve të PDK-së është e qëlluar por që do të presin që një projektligj i tillë të vjen në Kuvend nga qeveria.
“Mos të na shihni neve këtu si pjesë e pushtetit dhe të thoni se jemi kundër. Ne jemi për këtë ligj por presim që ky ligj të na vjen nga qeveria, Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme. Por fillimisht duhet rregulluar Ligji për paga dhe për shërbyes civilë. Kur të vjen nga qeveria vjen me një tabelë që mund te realizohet. Ne mund ta votojmë këtu por sa mund të jetë e zbatueshme në teren. Ju përgëzoj për iniciativën por pres qe ky ligj të na vjen nga qeveria”, ka thënë Selimi.
Ndërsa Fatmir Humolli nga Lëvizja Vetëvendosje tha se është mirë që komisioni të jetë në funksion të detyrës që tij.
Në komision u tha se ky projektligj është dërguar në qeveri dhe është pritur 30 ditë por nuk ka pasur ndonjë mendim.
“Në momentin që autoritetet e qeverisë e sigurojnë që mund të prodhojnë një projektligj që për një presje është më i mirë se ky, do e keni përkrahjen time”, ka thënë deputeti i LDK-së, Anton Quni.

Back to top button