Produktet esenciale për 5 vjet u shtrenjtuan mbi 60%

Të paktën 30 për qind janë rritur çmimet e shërbimeve publike që nga muaji janar i këtij viti. Çmimi i energjisë elektrike u rrit për 16.7% në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që çmimi i ujit dhe shërbimeve të tjera mbi 44 për qind. Këtu nuk përfundon lista e rritjes së çmimeve në Kosovë sipas Agjencisë së Statistikave që ka përmbledhur edhe çmimet e mishit që u shtrenjtua për 13.1%, të qumështit, djathit dhe vezëve për 8.7%. Qytetarët thonë se po i hetojnë dallime në çmime nga dita në ditë.
“Unë jam furnizues i familjes edhe po vërejë shtrenjtimet ditë për ditë ndryshojnë çka po bahet nuk e di…”, tha një qytetar për rtv21
“Dojnë me na dek para vaktit…”.
“Gjithçka shtrejtë…”, u shpreh një qytetar tjetër për rtv21
Në Kosovë në 5 vitet e fundit çmimi i tri produkteve esenciale si mielli, vaji dhe sheqeri u shtrenjtua për mbi 60%.
Mielli në vitin 2019/20 0.48 Euro 1kg, 2025 0.84 euro 1kg
Sheqeri në vitin 2019/20 0.69 euro 1kg, 2025 1.20 euro 1kg
Vaji në vitin 2019/20 1.02 euro 1L, 2025 1.67 1 L
Sipas Agjecisë së Statistikave inflacioni në Kosovë ka arritur në 5.8 për qind ndërkohë që thuhet se rritja ekonoimike ishte rreth 3.8 për qind. Për profesorin e ekonomisë, Shkumbin Misini matjet e Agjencisë së Statistikave nuk e shpërfaqin inflacionin real në Kosovë.
“ Sepse ASK bënë matjet njësoj që bënë edhe Gjermania edhe Franca. Por, ato janë shtete shumë të zhvilluara dhe Kosova nuk mund t’i fusë në një kategori edhe biletat e avionit edhe çmimin e bukës sepse ka papërputhshmëri nuk shkojnë bashkë dhe nuk mund të krahasohesh me Gjermaninë dhe Francën t’i ndjekësh si shembuj kur ty të nalet edhe rryma edhe uji…”, tha Misini për rtv21
Ai ngriti alarmin për rritje të shkallës së inflacionit duke përmendur një varg faktorësh përfshirë rritjen e çmimit të energjisë, të shërbimeve të tjera komunale por edhe rritjen e pagës minimale, e cila sipas tij do ta stimulojë inflacionin, meqë mjetet do të shfrytëzohen për konsum.
“Unë nga janari jam duke pagu edhe fatura të ujit dhe mbeturinave për 30% ma shtrenjtë, kur të na shtrenjtohet edhe rryma që po paralajmërohet e që ka me na u shtrejtu inflacioni në nëntor sigurisht se ka me u rritë shumë ma shumë se që është tash. Sepse në prill nuk kemi me i vërejtë shtrenjtimet por kemi me i vërejtë në nëntor…”.
Rrezikun për rritje të shkallës së inflacionit e përmend edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Megjithatë, sipas tij institucionet me masa të duhura do të mund ta parandalojnë një gjë të tillë.
“ Na shqetësim e kemi rrymën, kur të shtrenjtohet rryma pa shmangshëm të shtrenjtohen çmimet andaj këto janë ato masat që po flasim pra të mos ndërmarrim masa që na prej brenda e stimulojmë inflacionin të rritet…”, tha Rafuna për rtv21
Kosova edhe në vitin 2026 vazhdon ta ketë normën më të lartë të inflacionit në rajon dhe Evropë. Shkalla e inflacionit për muajin janar në Shqipëri arriti në 2.3% në Maqedoni të veriut shkalla e inflacionit ishte 3.2% ndërkaq në vendet e BE-së 1.7 për qind./RTV21/21Media