Programi për zbatimin e MSA-së, Haxhiu: Masat janë duke u zbatuar sipas afatit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kanë zbatuar 26 masa që dalin nga obligimet sipas Programit kombëtar për Zbatimin e MSA-së, nga 35 sa janë gjithsej.

Ajo ka deklaruar se 4 masa të parapara për këtë vit janë duke u zbatuar sipas afatit.

Lidhur me reformat në drejtësi, Haxhiu ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane, ku nuk kanë marrë pjesë deputetët e opozitës.

“Nga obligimet e tilla, më lejoni të ju informoj se 26 masa janë zbatuar tërësisht, prej të cilave, 4 masat e parapara për vitin 2023 janë duke u zbatuar sipas afatit”, ka thënë Haxhiu.

Ndër të tjera, ajo ka theksuar se Ministria e Drejtësisë ka hartuar Strategjinë për sundimin e ligjit për të cilën ka thënë se në vitin 2022 ka arritur zbatimin në 88%, ka njoftuar Ministria e Drejtësisë.

Si pjesë të reformës në drejtësi, ajo ka përmendur edhe nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit në mes Ministrisë së Drejtësisë dhe akterëve kyç të sistemit të drejtësisë, Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ministrja Haxhiu raporton para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane për reformat në drejtësi.

Ministrja Haxhiut shprehu keqardhjen për mungesën e opozitës në Komision derisa po raportonte për çështjet siç tha të rëndësishme që kanë të bëjnë me Reformën Evropiane.

Back to top button