Projektbuxheti për vitin 2024, Kurti përplaset me deputetët opozitarë

Kurti kërkon mbështetje, opozita e kritikon për buxhetin

(Lajm i përditësuar)


Projektbuxheti për vitin 2024, Kurti përplaset me deputetët opozitarë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përplasur me deputetët opozitarë, në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet projektbuxheti për vitin 2023.

Kreu qeveritar ka insistuar se buxheti për vitin e ardhshëm është i zhvillimit, mbrojtjes dhe sigurisë. Mirëpo opozitarët e quajtën Kurtin një demagog, i cili, siç thanë ata, për tri vjet nuk ka realizuar asnjë projekt serioz zhvillimor që mund ta mbajnë mend qytetarët.

Kurti duke iu replikuar opozitarëve përmendi si sukses rritjen e bruto-produktit vendor në 10 miliardë euro, dyfishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja.

“Në qeverisjen tonë janë dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja”, tha ai.

Ai theksoi se kurrë më shumë armatim nuk është blerë në Kosovë, sesa në qeverisjen e tij.

“Kurrë më shumë armatim nuk është blerë”, tha ai.

Krahas kësaj, Kurti tha se “ka emigrim në vend, por s’ka zmbrapsje të Kosovës, siç po trumbetojnë opozitarët”.

“Ka emigrim por nuk ka zmbrapsje të Kosovës”, vijoi ai.

Atij i reagoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili akuzoi Kurtin se po shtrembëron shifrat si për rritje ekonomike ashtu edhe për rritjen e bruto-produktit vendor.

Ai tha se për rritjen e eksportit s’ka pas asnjë ndikim qeveria, pasi nuk ka krijuar asnjë politikë fiskale.

Mirëpo Kurti tha se rritja e bruto-produktit vendor është e madhe edhe nëse krahasohet me vitin 2019, dhe anashkalohet 2020-ta si vit i pandemisë.

Kritik ndaj Kurtit u shpreh deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili e quajti atë demagog dhe hipokrit.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se projekt-buxheti për vitin 2024 është i dobët dhe pa asnjë projekt madhor.


Haradinaj kërkon dyfishim të pagave për ushtarët e policët

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në seancën e sotme në të cilën është duke u diskutuar për buxetin e shtetit për vitin 2024, tha se projekt-buxheti i prezantuar nga qeveria e Kosovës, është stagnues si në aspektin e zhvillimit ekonomik, ashtu edhe në aspektin social dhe të standardit jetësor.

Haradinaj tha se rritja prej 102 milionë euro, nuk garanton prosperitet e as zvogëlim të varfërisë.

“Rritja nominale prej vetëm 102 milion Euro praktikisht është zvogëlim real i buxhetit kur marrim parasysh shkallën e inflacionit këtë vit dhe vitin që vjen. Kjo është rritja më e vogël e një buxheti qe nga çlirimi i vendit deri më sot. 102 milionë Euro shtesë për vitin që vjen nuk garantojnë as prosperitet ekonomik, as zvogëlim të varfërisë të dhjeta mijëra familjeve skamnore, as përmirësim të gjendjes materiale të të gjitha kategorive të pensionistëve”, tha Haradinaj.

Ndërkohë shtoi se rritja e vlerës së koeficientit të pagave nga 105 në 110 Euro nuk është rritje e as harmonizim por zvogëlim real i pagave.

Shqetësuese në veçanti është nënçmimi që iu bëhet disa kategorive si policia e Kosovës, shëndetësia, drejtësia e të tjerë të dëmtuar nga Qeveria nga mohimi i pagesës së shtesave për rrezikshmëri dhe punë shtesë të garantuara me ligjin në fuqi, tha i pari i AAK-së.

Sipas tij, mbi 80% e projekteve kapitale të listuara në dokumentin që po e shqyrtojnë sot janë projekte të pa realizuara në tri vitet e fundit e të bartura për vitin 2024, dhe investimet kapitale të shtuara për vetëm 48 milionë Euro nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik, praktikisht janë stagnim kur marrim parasyshë se 90% e projekteve të parapara për realizim në vitin 2023 nuk janë realizuar por barten në vitin Buxhetor 2024.


PDK nuk e përkrah projektbuxhetin e vitit 2024

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku deklaroi se janë kundër projektbuxhetit për vitin 2024. Ai shtoi se ky planifikim i qeverisë nuk ka alternativë zhvillimore dhe nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve.

Në seancë plenare ku po shqyrtohet për herë të parë projektbuxheti i vitit të ardhshëm, Lushtaku shtoi se nuk plotësohen kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve.

Lushtaku tha se vendit po i shkaktohet humbje e madhe nga manipulimet, siç i quajti ai, të kryeministrit Albin Kurti.

Lushtaku në seancë plenare bëri të ditur se janë kundër këtij planifikimi buxhetor për vitin 2024.


Muja: Mbi 800 milionë euro për paga dhe mëditje nga projektbuxheti 2024

Kryetari i Komisionit për Punë, Buxhet dhe Transfere, Armend Muja tha se është miratuar projektligji për ndarjen buxhetore të vitit 2024, pas diskutimeve me Ministrinë e Finanvace. Ai potencon se shpenzimet buxhetore propozohen të jenë mbi 3 miliardë euro.

Muja, gjatë seancës së Kuvendit tha se borxhi i përgjithshëm bazuar në propozimin për ndarje buxhetore parashihet të jetë 20.7 për qind në raport me bruto produktin vendor.
Ndër të tjera, Muja potencoi se nga ky buxhet parashihet që mbi 1 miliardë euro të ndahen për subvencione dhe transfere, derisa shtoi se vlera e ndarë për paga dhe mëditje arrin shifrën 805 milionë euro.

Tuje, Muja tha se 859 milionë euro parashihet të ndahen për investime kapitale, derisa tregoi se 519 milionë të tjera planifikohet të jenë për mallra dhe shërbime


Kurti kërkon mbështetje për projektbuxhetin: Buxheti për mbrojtje dhe siguri

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë i mbrojtjes dhe sigurisë, ku kanë paraparë 370 milionë euro. Ai theksoi se në buxhetin e paraparë prej më shumë se 3.3 miliardë euro do të ketë nëntë milionë euro më shumë investime kapitale se në vitin aktual. Gjatë shqyrtimit të parë të projektbuxhetit për vitin 2024, Kurti në seancë plenare tha se janë planifikuar tre milionë euro për Luginën e Preshevës dhe 742 milionë për komunat e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ftoi deputetë të pozitës dhe opozitës që të mbështesin projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Kurti shtoi se buxheti i vitit të ardhshëm është “buxhet i komunave”, ku theksoi se tre milionë euro janë paraparë për Luginën e Preshevës.

Gjatë qeverisjes së tij, Kurti tha se ekonomisë ju shtuan 60 mijë vende pune, ku gjysma e të punësuarve janë të rinj e të reja.

Në prezantimin e projekt-buxhetit, Kurti shtoi se kanë paraparë ndarjen e mbi 90 milionë euro për nënat lehona dhe fëmijët nën 16 vjeç.

Shefi i ekzekutivit u shpreh se do të ketë investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore dhe fusha të tjera.

Kryeministri Kurti theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë prioritet sa i përket nevojave të qytetarëve dhe për një ekonomi më të fortë


Kuvendi shqyrton buxhetin për vitin 2024

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancën e radhës duke filluar nga ora 10:00.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Kuvendit, sot do të shqyrtohet Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.
Nuk është paraparë ndonjë pikë tjetër e rendit të ditës.

“Rendi i ditës.
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-260 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024.“, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button