Projekti i parë që ka nisur të jetësohet në Klinë, flet kryetari për RTV21

Në një intervistë për portalin rtv21.tv kryetari i Klinës, Zenun Elezaj ka treguar për punët që ka nisur në mandatin e dytë të tij si kryetar Komune dhe projektet e tjera që po e presin.
Projekti i parë që ka nisur të jetësohet në Klinë
I pyetur se cili është projekti i parë që ka iniciuar me të marrë mandatin, Elezaj është përgjigjur se ka filluar të punojë për sigurimin e transportit të nxënësve në shkolla.
“Projekti i parë i iniciuar për këtë vit është transporti i nxënësve në shkolla, projekt i cili është në fazën fillestare dhe do t’ju sigurojë nxënësve të disa shkollave udhëtim pa pagesë për në shkollë për tri vitet e ardhshme”, ka thënë ai.
Ndërsa, ai ka shtuar se projektet tjera që do të fillojë të realizohet “shumë shpejt”, është shpërndarja e shujtave ditore për nxënësit e klasave 1-5 në të gjitha shkollat fillore të Klinës.
Elezaj për rtv21.tv ka treguar se kanë filluar procedurat e prokurimit për furnizim me sera dhe makina mjelëse, të cilat do t’iu shpërndahen bujqve të komunës. Sipas tij në këtë mënyrë do të stimulohet rritja e ekonomive të vogla familjare.
Puna më e madhe e Elezajt, ujë për banorët
I pari i Klinës, Zenun Elezaj për rtv21.tv ka thënë se projeki më i madh në kuadër të Komunës është të sigurohet uji i pijës.
“Ne, duke u bazuar në kërkesat e qytetarëve dhe nevojat imediate që ka qyteti i Klinës, kemi hartuar një plan të realizimit të projekteve për katër vitet e ardhshme, realizimi i të cilave për shkak të mundësive të vogla buxhetore të komunës varet edhe nga investimet e Qeverisë së Kosovës. Synimi ynë kryesor mbetet sigurimi i ujit të pijes për qytetin dhe gjithë komunën e Klinës, projekt që besojmë do ta përmbyllim brenda këtij mandati për të zgjidhur njëherë e mirë këtë problem për qytetarët tanë”, ka thënë tutje Elezaj.
Buxheti i Klinës
Komuna e Klinës ka një buxhet me rreth 12 milionë eurosh, duke përfshirë edhe të hyrat komunale. Sipas kryetarit gjysma e këtij buxheti shpenzohet për paga, ndërsa pjesa tjetër për projekte kapitale dhe investime tjera të cilat janë planifikuar në disa dikastere kryesisht në ndërtimin e rrugëve të reja, ndërtimin e parqeve në fshatra, investime në shkolla, fushave sportive, blerjen e pajisjeve mjekësore për QKMF-në në Klinë, projekte në bujqësi dhe dikastere tjera.
Diçka që Klina nuk e ka pasur asnjëherë
I pyetur se çka do të ndryshojë/investojë në Klinë diçka që Klina nuk e ka pasur asnjëherë, Elezaj është përgjigjur se kanë planifikuar ndërtimin e një shtëpie për qëndrim ditor për të moshuar dhe ndërtimi i parqeve dhe fushave sportive në fshatra.
“Ne e kemi një plan mjaftë ambiciozë për këtë mandat për realizimin e disa projekteve që i kanë munguar qytetit të Klinës. Kemi planifikuar ndërtimin e një shtëpie për qëndrim ditor për të moshuar, diçka që Klina nuk e ka pasur asnjëherë. Po ashtu, do të fillojmë ndërtimin e çerdheve në disa fshatra, sipas kërkesave të prindërve. Projekt tjetër i rëndësishëm që do të realizohet për herë të parë është edhe ndërtimi i parqeve dhe fushave sportive në fshatra. Në fushën e bujqësisë do të fillojmë subvencionimin e qumështit për fermerët, për cka ndoshta jemi komuna e parë në Kosovë që realizojmë një projekt të tillë”, ka thënë kryetari Elezaj.
Zenun Elezaj në një intervistë për portalin rtv21.tv tutje ka folur edhe për familjet me asistencë sociale dhe trajtimin e tyre nga niveli lokal.
“Në bazë të informacioneve nga Qendra për Punë Sociale, aktualisht në komunën tonë janë rreth 900 përfitues të asistencës sociale. Ky numër pritet të rritet për shkak të kërkesave që janë në rritje e që konsistojnë me gjendjen e renduar ekonomike të familjeve në komunën tonë. Ne si komunë, krahas pagesave të ndihmës sociale që bëhen nga niveli qendror, familjeve nevojtare ju ndihmojmë në forma të ndryshme, qoftë me mjete financiare për familjet që përpos gjendjes së rënduar ekonomike në përbërje familjare kanë edhe persona që kanë probleme shëndetësore. Vlerësimi për këto familje bëhet nga ana e një komisioni komunal. Përpos ndihmës financiare, ne si komune, përmes Qendrës për Pune Sociale, kemi kontakte të vazhdueshme edhe me organizata të ndryshme humanitare që në vazhdimësi ju ofrojnë ndihma të ndryshme këtyre familjeve në nevojë sociale. Po ashtu, në formë bashkëfinancimi me shumë organizata, në vazhdimësi iu kemi ndihmuar familjeve në nevojë, qoftë në ndërtimin e shtëpive për familje që nuk e kanë pasur çështjen e banimit të zgjidhur, po ashtu ndihmë këtyre familjeve i`u është dhënë edhe me mjete të ndryshme të punës për t’ua lehtësuar jetesën”, ka thënë Elezaj.
Çfarë bën Komuna e Klinës për shëndetin e qytetarëve
Sa i përket fushës së shëndetësisë, Elezaj ka thënë se në këtë mandat do ta ndërtojnë Ambulantën e Mjekësisë Familjare (AMF) në lagjen Dukagjini në Klinë dhe do të vazhdohet blerja e pajisjeve të nevojshme për QKMF-në në Klinë.
Shkollat e Klinës me kamera e “nota elektronike”
Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj për rtv21.tv ka thënë se sivjet do të instalohen kamerat në të gjitha shkollat.
“Në sektorin e arsimit, këtë vit kemi planifikuar instalimin e kamerave në të gjitha shkollat. Po ashtu, kemi planifikuar pajisjen e shkollave me laboratorë, rinovimin e shkollës në fshatin Gllarevë, ndërtimin e shkollës së re ne Zllakuqan, ndërtimin e fushave sportive ne shkolla, krijimin e ditarit elektronik në shkolla dhe projekte tjera sipas kërkesave dhe nevojave të shkollave”, ka thënë ai.
Zenun Elezaj fitoi sërish postin e kryetarit gjatë zgjedhjeve të vitit 2021, duke e mposhtur kandidatin e PDK-së, Esat Raci./21Media

Back to top button