Prokuroria do të kërkojë paraburgim për dy mjekët e arrestuar për ryshfet

(Lajm i përditësuar)

Prokuroria Themelore e Gjilanit do të kërkojë masën e paraburgimit për dy mjekët e arrestuar mbrëmë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, nën dyshimet për marrje të ryshfetit.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Liridona Xheladini, zëdhënëse në Prokurorinë e Gjilanit.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit ka ndaluar dy persona në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor ndaj tyre do të kërkojë masën e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan”, ka thënë Xheladini.

Arrestohen dy mjekë në Gjilan

Policia e Kosovës njoftoi sot se dy mjekë janë arrestuar nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “marrje ryfsheti”, për të kryer një ndërhyrje.

Sipas policisë, anesteziologu dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë prej 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje.

Ndërsa kirurgu dyshohet se kishte marrë, lidhur me ndërhyrjen 330 euro, ndërsa, sipas policisë, kishte kërkuar edhe 200 euro shtesë.

Sipas Policisë, pasi që është siguruar urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake, për stimulim të veprës penale Marrja e ryshfetit, hetuesit kanë arritur të sigurojnë dëshmi gjatë dorëzimit të parave tek njëri i dyshuar.

“Nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë arrestuar dhe shoqëruar për intervistim personat e dyshuar, ku me vendim të prokurorit të shtetit është lëshuar aktvendim për ndalim në afat prej 48 orësh”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button