Prokuroria e Beogradit ankohet ndaj vendimit për lirimin e Radoiçiqit

Prokuroria e Lartë në Beograd parashtroi ankesë të premten kundër vendimit të gjyqtarit i cili e hodhi poshtë kërkesën e saj për caktimin masës së paraburgimit ndaj Millan Radoiçiqit në fillim të kësaj jave, konfirmoi ajo për Radion Evropa e Lirë (REL).

Prokuroria bëri ankesë për shkak të rrezikut të arratisjes së Radoiçiqit, pas sulmit të armatosur më 24 shtator në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, përgjegjësinë për të cilin e mori vetë Millan Radoiçiq.

Prokuroria e Lartë Publike tha për REL-in se ankesa është parashtruar “për shkak të gjendjes së pasaktë dhe paplotë faktike”.

“Apeli kërkon ndryshimin e vendimit të marrë dhe caktimin e paraburgimit për të dyshuarit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.
Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.

Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, e mori përgjegjësinë për sulmin rreth pesë ditë më vonë.

Më 3 tetor, Radoiçiqi u arrestua, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë.
Megjithatë, ai u lirua një ditë më vonë pasi gjykatësi refuzoi ta paraburgoste.

Në ankesën e 5 tetorit, Prokuroria më e lartë serbe kërkoi ndryshimin e vendimit dhe paraburgimin e Radoiçiqit, sipas televizionit serb N1.

Back to top button