Prokuroria jep detaje për arrestimin e doganierit

 

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, me urdhër të prokurorit, ka ndaluar dy persona të dyshuar, të pandehurit B.K., dhe L.S., në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Dyshohet se i pandehuri B.K., gjatë vitit 2020-2021 në pikën kalimtare të kufirit në Han të Elezit, në cilësinë personit zyrtar si zyrtar doganor, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete ose për personin tjetër-të pandehurin L.S., shfrytëzon detyrën e tij zyrtare duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që derisa është në detyrë, e njofton të pandehurin L.S., për kohën kur është i caktuar në trakë për kontrollimin e automjeteve dhe qytetarëve me rastin e kalimit të kufirit, me ç’rast i mundëson të pandehurit që ta kalojë kufirin duke kontrabanduar mallra përmes Maqedonisë së Veriut për në Republikën e Kosovës pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit,-me të cilën do të kryente veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Ndërsa, i pandehuri tjetër L.S., gjatë vitit 2020-2021 në pikën kalimtare të kufirit në Han të Elezit, ka bartur mallra dhe kalon vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor, në atë mënyrë që paraprakisht njoftohet nga ana e të pandehurit-zyrtarit doganor B.K., se kur i njëjti është në detyrë-trak në pikën kufitare, i njëjti kontrabandon mallra-barna pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit, e të cilat më pas bënë shitjen dhe shpërndarjen e tyre nëpër barnatore të ndryshme të Republikës së Kosovës, me të cilën do të kryente veprat penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311 paragrafi1 të KPRK-së dhe “Dhënie e ryshfetit” nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokuroria Themelore në Ferizaj, thotë se brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtëve, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Back to top button