Prokuroria jep detaje për rastin në Restelicë të Dragashit: I dyshuari kishte çrregullime mendore

(Lajm i përditësuar)


Prokuroria e Prizrenit jep detaje për rastin në Restelicë të Dragashit

Prokuroria Themelore në Prizren, përmes një komunikate për media, ka  dhënë detaje lidhur me vrasjen e një gruaje në fshatin Restelicë të Dragashit.

Sipas prokuorisë, i dyshuari me inicialet F.B e ka vrarë nënën e tij T.B, duke ushtruar dhunë fizike në shtëpinë e tyre në Restelicë.

“Pas pranimit të informatës në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, krim-teknikën dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit viktima është dërguar për obduksion në IML”, ka njoftuar Prokuroria.

Siç ka njoftuar Prokuroria, i dyshuari ka pasur çrregullime mendore dhe ka qenë i përfshirë në tri raste penale të dhunës në familje, të trajtuara nga Prokuroria e Prizrenit.

“Një (1) rast është trajtuar gjatë vitit 2024, ndërsa dy (2) raste gjatë vitit 2021. Për këto raste, Prokuroria ka ndërmarrë veprimet ligjore përkatëse, ka ngritur aktakuza dhe për të njëjtat raste janë nxjerrë aktgjykime dënuese. Prokuroria Themelore në Prizren është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të vdekjes”, ka njoftuar Prokuroria në Prizren.


Dyshohet se djali vr*u nënën në Dragash

Një person dyshohet se ka vrarë nënën e tij në fshatin Restelicë të Dragashit.

Lajmin për portalin rtv21.tv e konfirmoi zëdhënësi i policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Ai tha se dyshohet se i dyshuari ka pasur probleme të shëndetit mendor.

“Me datën 21.01.2025, rreth orës 01:06, Policia është njoftuar për një rast të vdekjes së dyshimtë në fshatin Restelicë, Komuna e Dragashit. Sipas informatave fillestare, dyshohet se një person mashkull, rreth 30 vjeçar, e ka privuar nga jeta nënën e tij, rreth 60 vjeçare. I dyshuari, sipas të dhënave paraprake, ka pasur probleme të shëndetit mendor. Nga ekzaminimi fillestar në vendin e ngjarjes, nuk është vërejtur mjeti me të cilin dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa viktima ka pësuar disa lëndime në regjionin e kokës. I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe është ndaluar për procedura të mëtejme ligjore. Sektori Rajonal i Hetimeve, në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore të nevojshme me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të këtij rasti”, tha Bytyqi./21Media

Back to top button