Prokuroria ka ngritur 33 aktakuza me 89 persona që ngarkohen për krime lufte

(Lajm i përditësuar)


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur gjithsej 33 aktakuza në të cilat përfshihen 89 persona që ngarkohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Kjo është bërë e ditur nga prokurorja Drita Hajdari përmes një konference për media

“Në mesin e këtyre rasteve ka qenë edhe rasti për “Mejen” dhe shumë e shumë raste të krimeve të luftës në Kosovë. Sa i përket aktakuzave, iu njoftoj se tani prokurorët vendor kanë ngritur gjithsej 33 aktakuza me 89 persona”, tha Hajdari.

Hajdari tha se ky proces ka paraqitur shumë probleme tek sistemi i drejtësisë për shkak se shumica e të dyshuarve ndodhën në Serbi.

“Me marrjen e kompetencave ishim të ballafaquar me probleme të shumta e sidomos me rrethanën se kryerësit e këtyre veprave penale nuk kanë qenë në Kosovë. Shumica e tyre janë në Serbi ndërsa viktimat dhe dëshmitarët janë në Kosovë dhe kjo ka paraqitë një vështirësi të madhe për ngritjen e aktakuzave sepse nuk kemi mujtë me i ngritë aktakuzat pa i marrë në pyetje të pandehurit, mirëpo kjo rrethanë nuk na ka ndal”, tha Hajdari.

Ndryshe në fillim të konferencës, kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj tha se ky institucion do të vazhdojë të punojë pa ndalur në ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krime lufte.

“Prokurorët tanë po punojnë më shumë përkushtim përkundër sfidave që masin sigurimin e provave dhe dëshmisë. Përkundër faktit që ka kaluar një kohë e konsiderueshme dhe janë krijuar vështirësi për një punë sa më të suksesshme për identifikimin e kryerësve dhe kapjen e tyre për t’i sjellë para drejtësisë. Me këtë rast dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Prokuroria Speciale do të vazhdojë të punojë pa ndaluar në hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krimet e luftës, përkundër vështirësive që na presin”, tha Isufaj.

Isufaj tha se në këtë konferencë gjithashtu do të prezantohen rezultatet e punës lidhur me hetimin e masakrës së Mejes dhe Burgut të Dubravës, aktakuza këto për të cilat do ë flasin prokuroret Drita Hajdari dhe Ilir Morina.


Prokuroria Speciale për Masakrën e Dubravës: Nën hetim janë 88 të pandehur

Prokuroria Speciale e Kosovës, sot shpalosi informacione sa i përket ngritjes së aktakuzave për krime të luftës.

Prokurori Ilir Morina, në një konferencë për media tha se për masakrën e Dubravës nën hetim janë 88 të pandehur.

Ai tha se hetimi ka filluar qe një kohë të gjatë dhe aktualisht një i pandehur është në paraburgim.

“Ka filluar shqyrtimi gjyqësor për rastin e masakrës së Dubravës. Nën hetim janë 88 të pandehur. Ky hetim ka filluar që një kohë të gjatë pasi ishte lëndë e EULEX-it, një të pandehur e kemi në paraburgim, është sfidë të kryhet një hetim lufte për dy vjet, por këto janë mundësitë ligjore. Me ligj paraburgimi është 2 muaj. Për të pandehurit e tjerë vazhdojnë hetimet, dhe jemi duke mbledhur provat. Në momentin që do të jemi gati do të procedojmë edhe ndaj këtyre të pandehurve”, tha Morina.


Prokuroria Speciale mban konferencë lidhur me aktakuzat për krime lufte

Prokuroria Speciale e Kosovës do të mbajë sot konferencë për media, lidhur me ngritjen e aktakuzave për krime të luftës.

Sipas njoftimit, konferenca do të mbahet me fillim nga ora 10:00.

Konferenca do të mbahet, në objektin e Prokurorisë Speciale, kati 6, Rr. Luan Haradinaj.

Back to top button