Prokuroria kërkon paraburgim për shtatë të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

(Lajm i përditësuar)


Prokuroria kërkon paraburgim për shtatë të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë të arrestuarve sot që dyshohen për vrasjen e rreshterit të Policisë, Muhamed Lika.

Në komunikatën për media thuhet se i mituri bashkë me gjashtë persona tjerë dyshohet se kanë vrarë rreshterin Lika.

“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 01.04.2025, reth ores 23:00, neë Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, i mituri në bashkëkryerje me madhorët me iniciale: H.B., R.M., V. ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, M.L., në atë mënyrë që viktima pas përfundimit të orarit të punës, rrugës për në banesen e tij, ku i njëjti ishte përcjellur në vazhdimesi nga madhorët deri te hymja e banesës se tij ku,pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri, ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri.”, thuhet në njoftim.


Prokuroria: Motivi për vrasjen e rreshterit Lika lidhet me punën e tij si polic

Policia e Kosovës në aksionin e zhvilluar sot në Kaçanik, lidhur me rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika, ka arrestuar shtatë persona të dyshuar.

Në konferencën për media të mbajtur lidhur me këtë rast kryeprokurori i Ferizajt, Burim Çerkini, ka thënë se personat e arrestuar do të dërgohen në mbajtje dhe do të vazhdojmë me procedurat e mëtutjeshme.

“Sipas dyshimeve tona motivi lidhet me punën e tij si pjesëtar i Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Çerkini.


Hoxha jep detaje për operacionin në Kaçanik: Shtatë të arrestuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka zbuluar detaje të reja lidhur me operacionin e zhvilluar sot në orët e hershme të mëngjesit në Kaçanik, në kuadër të hetimeve për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.

Sipas tij, operacioni është realizuar me autorizim të Prokurorisë dhe ka përfshirë bastisjen e nëntë lokacioneve, shumica në qytetin e Kaçanikut dhe një tjetër në një fshat të komunës së Klinës.

“Gjatë këtij operacioni janë bastisur 9 lokacione. Shumica në Kaçanik dhe një në një fshat të Klinës. Gjatë operacionit janë arrestuar shtatë persona, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika”, deklaroi Hoxha para mediave të hënën.

Ai tha se operacioni është kryer pa asnjë incident dhe pa persona të lënduar, as nga të arrestuarit dhe as nga forcat policore që morën pjesë në aksion.

“Gjatë operacionit nuk ka pasur ndonjë incident dhe asnjë të lënduar as nga të arrestuarit, as nga forcat policore,” deklaroi drejtori i Policisë së Kosovës.

Hoxha bëri të ditur edhe materialet të cilat u sekuestruan gjatë këtij operacioni të gjerë, të cilat tashmë janë në duart e hetuesve dhe do të shërbejnë për zbardhjen e rastit.

“Janë sekuestruar dy vetura, telefona celularë, disa laptopë, një armë zyrtare me 30 fishekë, maska, fishekë të tjerë, dylbi si dhe dokumente të ndryshme që do t’i shërbejnë hetimit,” u shpreh Hoxha.

Në mesin e të arrestuarve është edhe një ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe një 18-vjeçar, tregoi Hoxha.

Hoxha dhe Çerkini nuk treguan emrat e të arrestuarve, por thanë se disa prej tyre kanë të kaluar kriminale dhe se Lika kishte punuar në zgjidhjen e disa rasteve ku ata dyshoheshin për vepra penale.

“Disa nga të arrestuarit kanë pasur të kaluar kriminale dhe kanë qenë të arrestuar në të kaluarën për raste në lidhje me prirje ekstremiste”, tha Hoxha.

Në këtë operacion, përveç Policisë së Ferizajt, asistencë ka dhënë edhe Njësia Speciale Operative, ndërsa në total kanë marrë pjesë rreth 170 zyrtarë policorë.

Operacioni vjen si përgjigje ndaj vrasjes së rëndë të rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, një rast që ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur mobilizimin maksimal të institucioneve të sigurisë.


Raportohet për disa të arrestuar në aksionin në Kaçanik i ndërlidhur me vrasjen e rreshterit Lika

Aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës në Kaçanik i ndërlidhur me rastin e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika, mediat po raportojnë se në pranga kanë rënë shtatë persona.

Ky operacion, i shtrirë në të gjitha pikat kyçe të qytetit të Kaçanikut, u realizua nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, ka thënë Kelani për portalin rtv21.tv

Ndërkaq në një njoftim të dytë, policia bëri të ditur se bashkë me Prokurorinë do të mbajnë konferencë për media në ora 11:30.

“Sot, më 21.04.2025, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë do të mbaj një konferencë për media ku do të shpalosen detaje rreth operacionit policor që u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Kaçanikut dhe i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika. Në këtë konferencë do ta marrë pjesë: drejtori i përgjithshëm i PK-së kolonel Gazmend HOXHA, Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj z. Burim Çerkini”, thuhet në njoftimin e Policisë.


Rasti i vrasjes në Kaçanik, Prokuroria e Ferizajt dhe Policia mbajnë konferencë për media

Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të mbajë sot konferencë për media për rastin e vrasjen e zyrtarit policor në Kaçanik.

Konferenca pritet të nis nga ora 11:30.

“Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, z.Burim Çerkini dhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës.Konferenca do të mbahet nga ora 11:30, në Stacionin Policor në Ferizaj”, njofton Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Ndërsa nga ora 14:30, Prokuroria dhe Policia do të mbajnë konferencë të përbashkët.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të mbajë sot konferencë për media për rastin e vrasjes së policit në Kaçanik. Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, z.Burim Çerkini, prokurori i çështjes z.Ismet Rrahmani, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës. Konferenca do të mbahet nga ora 14:30, në objektin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, kati i dytë, salla e takimeve nr. 315.”, thuhet në njoftim.


Sveçla reagon për aksionin në Kaçanik: Familja, Policia e shteti kërkojnë drejtësi për Muhamed Likën

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar për aksionin në Kaçanik, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika.

Ai ndër të tjera ka thënë se Muhamed Lika, familja e tij, Policia e Kosovës, populli dhe shteti kërkojnë dhe meritojnë drejtësi.

“Muhamed Lika, familja e tij, Policia e Kosovës, populli dhe shteti kërkojnë dhe meritojnë drejtësi. 0 tolerancë!”, ka shkruar ai në Facebook. /21Media

Njësia Speciale me aksion në Kaçanik, lidhet me vrasjen e policit Muhamed Lika

Mëngjesin e sotëm, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka nisur një operacion policor që ka të bëjë me vrasjen e rreshterit, Muhamed Lika.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë Baki Kelani, i cili tha se ku tha se aksioni policor po zhvillohet pas hetimeve intensive nga njësitet relevante.

“Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mengjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, ka thënë Kelani për portalin rtv21.tv

Kujtojmë se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, lidhur me këtë rast më 02 prill kishte bërë të ditur se rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u vra nga dy persona në shkallët e ndërtesës ku banon teksa po kthehej nga puna, dhe se autorët e dyshuar ndodhen në arrati.

Në një konferencë për media në Prishtinë, Çerkini kishte thënë se autoritetet janë duke punuar për të zbardhur motivet dhe arsyet e vrasjes.

“Nga të dhënat që kemi, dy personat kanë ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes. Nuk kemi më shumë informata. Nuk kemi ndonjë tregues që rreshteri Lika ka pasur ndonjë problem, qoftë me procedural që i ka zhvilluar qoftë si zyrtar policor, apo ndonjë problem personal që do të na zbardhte motivin e vrasjes së tij”, kishte deklaruar Çerkini. /21Media

Prokuroria: Dy persona vranë policin në Kaçanik

Back to top button