Prokuroria kërkon paraburgim për tre të arrestuarit që u kapën me 1 milion euro në Merdare

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar paraburgim për E.A, A.K dhe A.L. të dyshuar për “Shpëlarje të parave”.
Në një komunikatë për media nga Prokuroria Speciale, thuhet se të dyshuarit kanë hyrë në Kosovë nga Merdarja më 24 shkurt 2026.
Të njëjtëve, më pas iu gjetën rreth 1 milion euro të padeklaruara.
“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, më 24.02.2026, rreth orës 13:00, kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës me një furgon të tipit “Sprinter”, me targa shqiptare, të cilin e drejtonte i pandehuri E.A., i shoqëruar nga të pandehurit A.K. dhe A.L.
Të njëjtit, pasi ishin ndaluar në pikën doganore në Merdar, ishin shprehur se nuk kishin asgjë për të deklaruar.
Sipas kërkesës së PSRK-së, pas kontrollit të detajuar nga njësitë relevante, brenda automjetit, në një hapësirë të modifikuar, janë gjetur 18 pako me para, të përbëra nga banknota të ndryshme prej 10, 20, 50, 100 dhe 200 euro, që sipas vlerësimeve fillestare, shuma e përgjithshme arrin rreth një milion (1,000,000) euro”, thuhet në njoftim.