Prokuroria në Pejë fillon hetimet për shkelje në rastin e dënimit të të dyshuarit për dhunimin e 15-vjeçares
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi sot ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, si autoritet kompetent, që të rishqyrtojë lëndën penale të prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Prokuroria Themelore në Pejë ka ndërmarrë veprimet e para procedurale për gjetjet e shkeljeve disiplinore apo ndonjë shkelje tjetër eventuale nga bartësi i kësaj lënde.
”Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin me numër: PP.nr.68/12 për veprën penale ‘Dhunimi’, nga neni 193, paragrafi 2, të KPK-së, Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Agim Kurmehaj, pas koordinimit me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kërkesës së tij, për shqyrtimin e këtij rasti, menjëherë janë ndërmarrë veprimet e para procedurale për gjetjet e shkeljeve disiplinore apo ndonjë shkelje tjetër eventuale nga bartësi i kësaj lënde. Pas përfundimit të gjitha procedurave dhe gjetjeve nga autoriteti kompetent, do vendoset konform ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, është bërë e ditur në komunikatë.
Edhe Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka kërkuar sot shkarkimin e gjyqtares dhe prokurores që janë marrë me rastin e përdhunimit të 15-vjeçares në Pejë, për shkak të dënimit të ulët që i është dhënë kryerësit të kësaj vepre. Përfaqësues të kësaj organizate kanë vendosur banerë në muret e këtyre institucioneve të drejtësisë, ku kanë paraqitur kërkesat e tyre e më pas janë larguar të qetë./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?