Prokuroria nis hetimet për kanosje ndaj kryetarit të Zubin Potokut

(Lajm i përditësuar)
Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me kërcënimet e bëra ndaj Kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Valon Preteni zëdhënës i kësaj Prokurorie.
“Është njoftuar prokurori, ka udhëzu m’u hap rast për veprën penale “Kanosja”. Rasti është duke u hetuar”, tha ai.
Pas kërcënimeve, kryetari i Zubin Potokut flet për RTV21
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri ka bërë të ditur se është kërcënuar për të dytën herë në rrjetet sociale, nga një person i cili po paraqitet si pjesëtar i MUP-it serb.
Zeqiri për portalin rtv21.tv tha se të dy rastet i ka lajmëruar në Polici dhe se kërcënimet janë bërë nga jashtë territorit të Kosovës.
“E kam lajmëruar në të dy rastet hetimet janë duke u zhvilluar… Më kanë informuar se kërcënimi është bërë nga jashta Kosovës”, tha Zeqiri.
“Oficeri i MUP-it” kërcënon kryetarin e Zubin Potokut
Kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka njoftuar se është kërcënuar dy herë brenda tre muajve të fundit nga një person në rrjetet sociale.
Ai ka shkruar në Facebook se kërcënimi vjen nga një profil i një terroristi, që sipas Zeqirit po paraqitet si oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë.
“Jam duke u kërcënuar dy herë brenda tre muajve të fundit nga i njëjti profil i një terroriste që paraqitet të jetë një oficer i MUP-it të Serbisë, i angazhuar në R.Kosovës. Herën e parë më 31 maj dhe tani më 2 shtator. Përgjgija ime është: Këtu jam dhe këtu do të jem dem baba dem”, ka shkruar ai.
Me rastin po merret Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda.