Prokuroria për rastin në Viti: I dyshuari tentoi që me dashje t’i privoj nga jeta pesë persona

Një rast i rëndë ka ndodhur të hënën në Viti. Një person i dyshimtë i cili po drejtonte makinën e tipit ”Opel” goditi disa persona të cilët gjendeshin në parkun këtij qyteti.

Si pasojë e kësaj goditje mbetën të lënduar pesë persona, ku njëri prej të cilëve ndërroi dje gjatë trajtimit.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore e Gjilanit për portalin rtv21.tv ka bërë të ditur se i dyshuari E.SH me dashje ka tentuar ti privoj nga jeta të dëmtuarit, duke rrezikuar rëndë edhe jetën e tyre.

“Referuar kërkesës tuaj të parashtruar me date 10 shtator 2025, lidhur me rastin i cili ka ndodhur me datë 8 shtator në Viti, ku një person me inicialet E.SH me dashje ka tentuar ti privoj nga jeta të dëmtuarit, duke rrezikuar rëndë edhe jetën e të dëmtuarve V.G, M.A, A.F, A.S dhe E.S, që ishin  duke qëndruar në një tavolinë  në afërsi të platosë në sheshin ‘’Bafti Haxhiu’’ para banesës  kolektive në Viti“, thuhet në përgjigje.

Përpos kësaj, Prokuroria e Gjilanit tha se me të marrë informatën, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kjo vepër është cilësuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Kurse i dyshuari në këtë rast me rekomandim të mjekut është vendosur në repartin e Psikiatrisë në Spitalin Regjional të Gjilanit.

“Lidhur me rastin, me të marrë informacionin nga Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe vepra është cilësuar si Vrasje e rëndë në tentativë nga neni 173 i Kodit Penal të Kosovës dhe ndaj të njëjtit ka nxjerrë Aktvendim për ndalim, mirëpo me rekomandimin e mjekut, masën e ndalimit është duke u mbajte në repartin e Psikiatrisë në Spitalin Regjional të Gjilanit nga data 08.09.2025  në ora 21.45. Pas pranimit të Kallëzimit penal, Prokurori i rastit ka paraqitë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, me propozimin që në seancë dëgjimore të ftohet edhe eksperti mjeko – ligjor i psikiatrisë“, u tha tutje në përgjigjen e Prokurorisë së Gjilanit për portalin rtv21.tv

Ky rast dje u konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti dyshohet se me veturën e tij i ka goditur disa persona që ishin duke qëndruar në një park. Pesë persona kosovarë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në raport. /21Media

Back to top button