Prokuroria Speciale heton kontratën për ndërtimin e dy urave mbi Ibër

Pas nisjes së hetimeve nga prokuroria speciale lidhur me kontratën për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër, zëvendësministri në detyrë i infrastrukturës Hysen Durmishi, në një bisedë të shkurtër telefonike tha për RTV21, se ministria ndërton ura, ndërsa prokuroria bën punën e saj. Deklaratat e tij pasuan nisjen e hetimeve lidhur me kontratën e nënshkruar nga kjo ministri për këto dy ura, të cilat do të jenë pjesë e hetimeve nga Prokuroria, e cila tha se janëe duke hetuar hiç më pak se 2 mijë kontrata të tilla të nënshkruara nga qeveria Kurti 2.

“Prokuroria Speciale nuk e ka në kompetencë të vlerësojë apo të aprovojë ndonjë projekt infrastrukturor, por theksojmë se roli i PS-së është të veprojë bazuar në ligjet në fuqi, në rastet kur ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. PS-ja, nëpërmjet pesë prokurorëve të angazhuar, i ka aktualisht në trajtim afër 2 mijë kontrata një burimore. Bazuar në këtë, Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet lidhur me rastin, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale”, thuhet nga PSK.

Qeveria në detyrë me 1 korrik ka nisur ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër, me një kosto rreth 3 milionë euro. Kontrata për këtë projekt u dha përmes tenderit një burimor. Kryeministri në detyrë Kurti, tenderin një burimor dhe lidhjen aq të shpejtë të kontratës për përfundimin e projektit e kishte cilësuar si efikasitet të qeverisë, mbi të cilin Prokuroria Speciale ka ngritur dyshimet e saj. Ndërsa, për dyshimet e prokurorisë, lidhur me kontratën për ndërtimin e urave mbi Ibër, deputeti i LVV-së Halil Thaçi tha për RTV21, se kjo nuk është hera e parë në Kosovë që nënshkruhet një kontratë përmes tenderit një burimor. Ndërsa të tjerët kanë deklaruar se përveç mllefit nuk ka fjalë tjetër për të shprehur për Prokurorinë Speciale.

“Nuk është hera e parë që lidhen kontrata të tilla, më shumë ka pasur në kohën e opozitës”, ka theksuar Abrashi.

Ministria e Infrastrukturës ka eliminuar të gjitha kompanitë që kanë aplikuar në një tender për ndërtimin e dy urave në Mitrovicë, duke dhënë arsyetim të ngjashëm për të gjitha kompanitë që u përjashtuan nga pjesëmarrja në këtë tender, ndërsa kontratën e ka nënshkruar me një kompani përmes negocimit të drejtpërdrejtë. Lidhur me procedurat e tenderimit, ish-ministri i financave, Haki Shatri, akuzon qeverinë Kurti se ka rrënuar demokracinë në Kosovë.

“Nuk mundesh natën me të ra ndërmend një ide, të nesërmën në mëngjes me u çu me tërrnakop në dorë, me hapë gropa. Tenderi shkon, me planifikim, bëhet buxheti, miratohet, bëhet kodi i veçant për projektin…”, ka deklaruar Shatri për rtv21.

Qeveria Kurti 2 për gjatë gjithë mandatit të saj, ka qenë cak i akuzave për abuzim të buxhetit të shtetit përmes kontratave një burimore. Alarmi për kontratat me negocim të drejtpërdrejtë u ngrit në vitin 2024, kur deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në cilësinë e kryetares së Komisionit për mbikëqyrje të financave publike në Kuvend kishte kërkuar informacione komisionit rregullativ të prokurorimit publik lidhur me kontratat një burimore. Në këtë kuptim, avokati Ardian Bajraktari, ngre shqetësimin se përjashtimi i kompanive nga tenderët është bërë trend.

“ Sistemi ekonomik në vendin tonë bazohet në ekonominë e tregut të lirë, ndërsa viteve të fundit përjashtimi është bërë rregull. Ndërsa si rregull procedurat e prokurimit duhet të jenë të hapura…”, ka thënë Bajraktari për rtv21.

Lidhur me projektin e ndërtimit të urave kishte thënë se po bëhen me kërkesë të dy komunave dhe se ndërtimi i tyre ka të bëj vetëm me lëvizjen e lirë. Në anën tjetër, serbët lokalë në Mitrovicën e veriut, nisjen e këtij projekti e kanë cilësuar si provokim politik dhe jo mjet për lidhjen e komuniteteve. Në kundërshtim të këtyre urave mbi 3 mijë serbë kanë nënshkruar një peticion të nisur nga Lista Serbe. Kundërshtinë për ndërtimin e urave e kishte shprehur edhe BE-ja, duke i bërë thirrje autoriteteve në Kosovë për vetë përmbajtje. /RTV21/21Media

Back to top button