Prokuroria Speciale: I mituri për disa muaj kishte bërë plane për sulm ndaj nxënësve në Pejë

(Lajm i përditësuar)
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka thënë se i mituri me inicialet B.M. në një periudhë kohore disamujore kishte bërë plane dhe ishte përgatitur për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë.
“Me këto veprime i pandehuri B.M. kishte për të kryer veprën penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, nga neni 138 lidhur me nenin 129 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka thënë Prokuroria përmes një komunikate për media.
Një muaj parburgim të miturit që dyshohet se planifikoi sulme vrasëse në një shkollë në Pejë
16 vjeçari i cili po dyshohet se ishte duke planifikuar disa sulme vrasëse ndaj disa nxënësve në klasën e tij në një shkollë Pejë, është dërguar në paraburgim për një muaj, pas vendimit të gjykatës.
I njëjti po dyshohet për planifikim të veprave terroriste dhe vepra penale kundër rendit kushtetues.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit B.M, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të miturit B.M dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka thënë Gashi për rtv21.tv.
Arrestohet një person në Pejë, dyshohet për përgatitje të veprave terroriste
Është arrestuar një person në Pejë nën dyshimin për përgatitje të veprave penale terroriste.
Policia ka njoftuar se i dyshuari është dërguar në mbajtje nën dyshimin se paraqet kërcënim, thuhet në raporton 24-orësh të policisë.
Rasti është cilësuar “Përgatitja e veprave penale terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”./21Media