Prokurorja e SHBA-së: Maduro akuzohet në New York për trafik droge dhe armësh

(Lajm i përditësuar)
CNN: Maduro dhe gruaja e tij u tërhoqën zvarrë nga dhoma e tyre e gjumit gjatë bastisjes
Presidenti venezuelian, Nicolas Maduro dhe gruaja e tij Cilia Flores u nxorën zvarrë nga dhoma e tyre e gjumit nga forcat amerikane gjatë bastisjes që çoi në kapjen e tyre, thanë dy burime të njohura me çështjen.
Çifti u kap në mes të natës ndërsa po flinin, shkruan CNN.
Bastisja, e kryer nga njësia elitare Delta Force e Ushtrisë Amerikane, nuk shkaktoi asnjë viktimë në radhët e SHBA-së.
Raportohet se në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, Maduro u akuzua në Distriktin Jugor të New Yorkut për “narkoterrorizëm”, komplot për importimin e kokainës dhe akuza të ngjashme.
Administrata Trump ofroi një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për arrestimin e udhëheqësit venezuelian asokohe.
Ky shpërblim u rrit në 25 milionë dollarë në ditët e fundit të administratës Biden, në fillim të janarit 2025, dhe u rrit në 50 milionë dollarë në gusht 2025 pasi Trump mori detyrën për një mandat të dytë dhe e shpalli Cartel de los Soles si një organizatë terroriste të huaj.
Administrata ka pretenduar se Maduro është udhëheqësi i atij grupi, të cilin e përshkruan si një organizatë kriminale.
Sulmet amerikane në Karakas, Kolumbia dërgon trupa në kufi me Venezuelën
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro urdhëroi vendosjen e forcave ushtarake në kufirin me Venezuelën, pas sulmit të nisur nga Shtetet e Bashkuara ndaj Karkasit.
Petro i përshkroi sulmet e nisura nga SHBA-të si një sulm ndaj sovranitetit të Amerikës Latine, duke paralajmëruar për rrezikun e një krize humanitare.
“Qeveria kolumbiane dënon sulmin ndaj sovranitetit të Venezuelës dhe Amerikës Latine”, tha ai në një postim në X, pas përfundimit të takimit urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Presidenti kolumbian bëri thirrje gjithashtu për thirrjen e menjëhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke vënë në dukje se konfliktet e brendshme zgjidhen në mënyrë paqësore nga populli.
Prokurorja e SHBA-së tregon që padia ndaj Maduros dhe gruas është bërë në një gjykatë në New York
Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, ka reaguar përmes një postimi në plaformën “X” lidhur me arrestimin e presidentit venezuelian, Nicolas Maduro, dhe gruas së tij pas sulmeve në Karakas.
Bondi theksoi se ndaj Maduros janë ngritur disa akuza, disa prej të cilave lidhen me drogën, të cilën SHBA e cilëson si narko-terrorizëm. Sipas saj, ata do të përballen me zemërimin e plotë të drejtësisë amerikane.
“Nicolas Maduro dhe gruaja e tij, Cilia Flores, janë paditur në Distriktin Jugor të Nju Jorkut. Nicolas Maduro është akuzuar për Konspiracion Narko-Terrorizmi, Konspiracion për Importimin e Kokainës, Posedim të Mitralozit dhe Pajisjeve Shkatërruese, dhe Konspiracion për Posedimin e Mitralozit dhe Pajisjeve Shkatërruese kundër Shteteve të Bashkuara. Ata së shpejti do të përballen me zemërimin e plotë të drejtësisë amerikane në tokën amerikane, në gjykatat amerikane. Në emër të gjithë Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, do të doja të falënderoja Presidentin Trump që pati guximin të kërkonte llogaridhënie në emër të Popullit Amerikan, dhe një falënderim të madh për ushtrinë tonë të guximshme që kreu misionin e pabesueshëm dhe shumë të suksesshëm për të kapur këta dy trafikantë të dyshuar ndërkombëtarë të drogës”, thuhet në postimin e saj.
Nicolas Maduro and his wife, Cilia Flores, have been indicted in the Southern District of New York. Nicolas Maduro has been charged with Narco-Terrorism Conspiracy, Cocaine Importation Conspiracy, Possession of Machineguns and Destructive Devices, and Conspiracy to Possess…
— Attorney General Pamela Bondi (@AGPamBondi) January 3, 2026
Kapja e Maduros nga SHBA, reagon Rusia: Akt agresioni, meriton dënim
Këtë mëngjes, SHBA-të kryen një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Ky zhvillim shkakton shqetësim të thellë dhe meriton dënim. Kështu, ka deklaruar Ministria e Jashtme e Rusisë në një deklaratë të lëshuar për ngjarjet e sotme në Venezuelë.
“Pretekstet e përdorura për të justifikuar këto veprime janë të paqëndrueshme. Armiqësia e ideologjizuar ka mbizotëruar ndaj angazhimit pragmatik, si edhe ndaj çdo gatishmërie për të ndërtuar marrëdhënie të bazuara në besim dhe parashikueshmëri”, thuhet në reagimin e Rusisë.
Venezuela është aleati më i rëndësishëm tregtar dhe ushtarak i Rusisë në Amerikën Latine.
Rusia tha se në këtë situatë është “thelbësore” që të parandalohet “përshkallëzimi i mëtejshëm” dhe shtoi: “të përqendrohemi në gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut”.
“Ne nisemi nga mirëkuptimi se të gjitha palët që mund të kenë ankesa kundër njëra-tjetrës duhet të kërkojnë zgjidhje përmes mekanizmave të bazuar në dialog. Ne jemi të gatshëm të mbështesim përpjekje të tilla. Amerika Latine duhet të mbetet një zonë paqeje, siç e shpalli veten në vitin 2014. Venezuelës duhet t’i garantohet e drejta për të përcaktuar fatin e saj, e lirë nga çdo ndërhyrje e jashtme shkatërruese – e lëre më ushtarake”.
Rusia tha se solidarizohet me “popullin venezuelian dhe mbështetjen tonë për kursin e ndjekur nga udhëheqja e saj bolivariane, që synon mbrojtjen e interesave dhe sovranitetit kombëtar të vendit”.
“Ne mbështesim deklaratat e autoriteteve venezueliane dhe të udhëheqësve të vendeve të Amerikës Latine që kërkojnë thirrjen urgjente të një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Rusia tha se ambasada e saj në Karakas po vepron normalisht, duke marrë parasysh situatën në terren, dhe mban kontakt të vazhdueshëm me autoritetet venezueliane, si dhe me shtetasit rusë të pranishëm në Venezuelë.
“Aktualisht, nuk ka informacione që tregojnë se ndonjë qytetar i Federatës Ruse është plagosur”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë sot se SHBA-ja ka kryer sulme kundër Venezuelës dhe e ka kapur udhëheqësin e saj, presidentin Nicolas Maduro, si dhe bashkëshorten e tij.
Rubio: Maduro s’është president, ai është kreu i organizatës narkoterroriste Los Soles dhe ka trafikuar drogë drejt SHBA-së
Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, ka reaguar pas sulmit të sotëm dhe kapjes së Nicolas Maduros.
Përmes një postimi në platformën “X”, Rubio ka shkruar se Maduro nuk është president i Venezuelës dhe se regjimi i tij s’është qeveri legjitime.
Sekretari amerikan ka thënë se Maduro është kreu i kartelit narkoterroriste Los soles dhe se akuzohet edhe për trafikim të drogës drejt SHBA-së.
“Maduro NUK është presidenti i Venezuelës dhe regjimi i tij NUK është qeveria legjitime. Maduro është kreu i Kartelit të Los Soles, një organizatë narkoterroriste që ka marrë nën kontroll një shtet. Ai gjithashtu është i paditur për trafikim të drogës drejt Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar Rubio.
— Marco Rubio (@marcorubio) January 3, 2026
Kallas bisedon me Rubion pas sulmit të SHBA-së: Kemi deklaruar vazhdimisht që Maduro s’kishte legjitimitet
Kryediplomatja evropiane, Kaja Kallas, ka bërë të ditur se ka biseduar me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, pas sulmit që SHBA ka kryer dhe kapjes së Maduros.
Përmes një shkrimi në plaformën “X”, Kallas ka thënë se BE po e monitoron situatën me shumë kujdes. Derisa ka shtuar se Bashkimi Evropian vazhdimisht ka deklaruar se Maduros i mungon legjitimiteti.
“ Kam folur me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe Ambasadorin tonë në Karakas. BE-ja po e monitoron nga afër situatën në Venezuelë. BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se zotit Maduro i mungon legjitimiteti dhe ka mbrojtur një tranzicion paqësor. Në të gjitha rrethanat, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohen. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje. Siguria e qytetarëve të BE-së në vend është përparësia jonë kryesore”, ka shkruar ajo./21Media
Senatori amerikan: Rubio më tha se Maduro do të gjykohet në ShBA
Senatori republikan amerikan, Mike Lee ka deklaruar se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i tha se Nicolás Maduro është arrestuar nga forcat amerikane për t’u gjykuar për akuza penale në Shtetet e Bashkuara.
“(Rubio) nuk parashikon veprime të mëtejshme në Venezuelë tani që Maduro ndodhet në kujdesin e SHBA-së,” shkroi Lee në X pas një bisede telefonike me diplomatët më të lartë të Uashingtonit.
Just got off the phone with @SecRubio
He informed me that Nicolás Maduro has been arrested by U.S. personnel to stand trial on criminal charges in the United States, and that the kinetic action we saw tonight was deployed to protect and defend those executing the arrest warrant… https://t.co/lXCxhPoKSZ
— Mike Lee (@BasedMikeLee) January 3, 2026
Qeveria e Venezuelës kërkon prova se Maduro është gjallë
Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, ka thënë se qeveria nuk e di ku ndodhet presidenti dhe zonja e parë.
Ajo ka deklaruar se qeveria kërkon “prova të menjëhershme jete” të të dyve.
E, ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino Lopez, ka njoftuar vendosjen e menjëhershme të forcave ushtarake në tërë vendin, raportoi The Guardian.
Ai ka bërë thirrje për një front të përbashkët rezistence përballë “agresionit më të rëndë” ndonjëherë kundër Venezuelës.
“”Ata na kanë sulmuar por ata nuk do të na nënshtrojnë”, ka thënë ai.
BBC: Maduro dhe gruaja e tij u kapën nga Delta amerikane
Presidenti venezuelian Nicolás Maduro u kap nga Delta Force e ushtrisë amerikane, kanë bërë të ditur zyrtarë për partnerin amerikan të BBC-së, CBS News.
Delta Force është njësia kryesore e SHBA-së për kundërterrorizëm.
Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës, Vladimir Padrino, ka thënë se qeveria po grumbullon informacione për të vdekurit dhe të lënduarit, dhe ka pohuar se sulmet goditën zona civile.
Ai shtoi se Venezuela do të “rezistojë” ndaj pranisë së trupave të huaja.
Trumpi thotë se SHBA-ja e ka kapur Maduron pas sulmeve
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar se SHBA-ja ka kryer sulme ndaj Venezuelës të shtunën.
Ai ka thënë se SHBA-ja kreu sulm në shkallë të gjerë, derisa ka shtuar se presidenti Nicolas Maduro është kapur dhe është larguar nga vendi.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, Presidentit Nicolas Maduro, i cili, së bashku me gruan e tij, është kapur dhe është larguar me aeroplan nga vendi. Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e rendit të SHBA-së. Detajet do të vijojnë më poshtë. Do të ketë një konferencë për shtyp sot në orën 11:00, në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje! Presidenti DONALD J. TRUMP”, ka shkruar Trump.
“Po bombardohemi, njoftoni botën”, Venezuela akuzon SHBA-në për sulm
Presidenti kolumbian Gustavo Petro tha se Venezuela është nën “sulm” dhe po bombardohet me “raketa”.
“Karakasi është nën sulm tani. Njoftoni botën: Venezuela është sulmuar”, shkruan ai në X.
“Ata po bombardojnë me raketa. OAS (Organizata e Shteteve Amerikane) dhe OKB duhet të takohen menjëherë.”
Qeveria e Venezuelës ka akuzuar SHBA-në për sulmin.
Ajo tha se “hedh poshtë, përbuz dhe denoncon” “agresionin ushtarak” të SHBA-së.
Gjithashtu, Venezuela akuzoi SHBA-në se po përpiqej të “konfiskonte burimet strategjike të Venezuelës, veçanërisht naftën dhe mineralet e saj, duke u përpjekur të thyente me forcë pavarësinë politike të vendit”.
“Një agresion i tillë kërcënon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, veçanërisht në Amerikën Latine dhe Karaibe, dhe rrezikon seriozisht jetën e miliona njerëzve.”
Venezuela akuzon SHBA-në për kryerjen e ‘agresionit ushtarak’, Maduro shpall gjendjen e jashtëzakonshme
Qeveria e Venezuelës dënoi atë që e quajti një “agresion ushtarak shumë serioz dhe të rëndë” nga SHBA-ja kundër pjesëve të shumta të vendit, pasi shpërthime u raportuan në kryeqytetin Karakas dhe vende të tjera herët të shtunën.
Në një deklaratë, qeveria akuzoi SHBA-në për kryerjen e një sulmi ndaj Karakas dhe shteteve Miranda, Aragua dhe La Guaira, shkruan CNN.
Presidenti, Nicolás Maduro ka nënshkruar një gjendje të jashtëzakonshme dhe ka urdhëruar që të gjitha planet e mbrojtjes kombëtare të zbatohen “në kohën e duhur dhe në rrethanat e duhura”, thuhet në një deklaratë nga qeveria.
Ajo gjithashtu u bëri thirrje forcave shoqërore dhe politike të Venezuelës të mobilizohen dhe të mbrojnë vendin.
“Populli i Venezuelës dhe Forcat e Armatosura Kombëtare Bolivariane, në një unitet të plotë popullor-ushtarak-policor, janë të angazhuara për të garantuar sovranitetin dhe paqen”, thuhet në deklaratë.
Deklarata tha se Venezuela gjithashtu do të paraqesë ankesa para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe organeve të tjera ndërkombëtare, duke kërkuar dënimin e SHBA-së.