Promovohet “Kthimi” i ipeshkvit Dodë Gjergji

 
Në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë u promovua trilogjia rrëfimore “Kthimi”, e ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji. Vepra u vlerësua si libër i së vërtetës historike të shqiptarëve.
Në promovimin e librit, shkrimtar Gani Mehmeti tha se vëllimet e Dodë Gjergjit janë rrëfim për të kaluarën, të tashmen e identitetit kombëtar e shpirtëror të shqiptarëve.
“Romani “Kthimi”, i Dodë Gjergjit në tri vëllime që autori e quan rrëfim me temën e vet, është ndër veprat më tronditëse për shpirtërim e tragjedisë me një cep të Dardanisë, por është edhe rrëfim për të kaluarën e të tashmen tonë, identitetin kombëtar e shpirtëror, fatin e fatkeqësinë, kush jemi ne dhe kush ishim, rrëfimi të mban pezull, është dinamik shpalon pjesë nga historia jonë e dhimbshme, ka një galeri protagonistësh, fatin e të cilave ndërthuren, ka shumë detaje të njohura e më pak të njohura”, tha ai.
Ndërsa, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i njohur si kryegjyshi botëror bektashian tha se libri “Kthimi”, ka prekur një gjë të rrallë të shqiptarëve, që siç theksoi ai, është bashkëjetesa pa dallim besimi.
“Kur një libër i ri ka për autor një klerik të lartë, vëllain tim dhe tuajin Dodë Gjergji, atëherë ndjehem i gëzuar dyfish sepse kam menduar gjithmonë që në këtë botë, shumë gjëra të mrekullueshme është mirë t’i ndajmë dhe t’i lëmë trashëgim. Nuk kam as më të voglin dyshim se trilogjia ‘Kthimi’ e bënë nderin jo vetëm bibliotekave të feve apo besimeve por të gjitha bibliotekave tona në gjuhën shqipe. Gjithashtu, falënderoj që ai ka prekur një gjë shumë të rrallë që ne shqiptarët e kemi, është një mrekulli shqiptare që ne martohemi me njëri tjetrin pa dallim besimi, duke mos ofenduar por duke festuar të gjitha festat bashkë, se njeriu është qenia kryesore, po qe njeri je gjithçka, je edhe katolik, je bektashinj, je ortodoks, je edhe musliman, je gjithçka”, tha ai.
Fahri Balliu nga shtëpia botuese “55”, tha se libri të dërgon në rrugën e paqes dhe sigurisë dhe i njëjti lë bresa të thella.
Ndërkohë, ai kritikoi përfaqësuesit e institucioneve shtetërore që ishin të pranishëm në këtë promovim.
“Do të ishte një mençuri nga ana e tyre që secili prej tyre të kishte këtu një përfaqësues se i siguroj që edhe mos të kishin dalë në punë sot, nuk do të kishin prish punë aq sa prishin kur nuk vinë në aktivitete të tilla. Por dueli midis shkrimtarëve dhe qeveritarëve është një duel i përjetshëm, ata burrokrat dhe ne në udhëheqje të dritës së syrit që quhet popull shqiptar. Një nga këta që është udhëheqës për dritën e syrit shqiptar është edhe Ipeshkvi Dodë Gjergji, me këtë libër në jetë është më shumë se të sjellësh një fëmijë, se një fëmijë do të rritet do të rritet për ty, për prindërit, do rritet diçka edhe për shoqërinë, libri është një gjë e shenjtë dhe e çmuar dhe është një rastësi, apo domosdoshmëri që këtë shenjtërim, këtë libër dhe këtë vepër ta bëjmë në një vend të shenjtë siç është krenaria e kombit të sotëm shqiptar, katedralja katolike në Prishtinë”, tha ai.
Ndërsa, autori i librit “Kthimi”, ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergj falënderoi bashkëpunëtorët me ndihmën e të cilëve tha e ka arritur shkrimin e botimin e këtij libri.
“Duhet të jem falënderues sepse një dhunti të cilën Zoti ma ka dhënë që moti e që unë kam filluar me zbatu shumë vonë të mund ta vazhdoj edhe në të ardhmen. Dëshiroj të falënderoj bashkëpunëtorët e mi që kanë punuar për të realizuar këtë vepër…Për më bë një libër ishte pak më shumë, si me bë një katedrale, sepse nevojiteshin shumë ekspertë, shumë bashkëpunëtorë, shumë njerëz që dinë më shumë se ti, ku me vë ë-në e ku me heq ë-në, ku me vë presjen e ku me qitë pikën”, tha ai.

Back to top button