​Promovohet libri që përshkruan torturat e përjetuara në Burgun e Dubravës

“Tmerri ka emër”, është libri i cili u promovua nga ish i burgosuri politik, Asllan Selimi, në 24 vjetorin e Masakrës së Dubravës.

Ky ditar historik ka kujtime nga lufta, burgu, gjykimi, dënimi dhe një prej masakrave më të mëdha kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Në emër të familjes, Ramadan Selimi ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar në promovimin e këtij libri.

“Në emër të Asllanit, në emër të bashkëshortes, të ju falënderoj për pjesëmarrjen kaq masive. Po ndihemi shumë krenar. Falënderim të veçantë për penalistët këtu dhe gjithë ata qe përgatiten këtë libër”, ka thënë ai.

Ish i burgosuri politik, Nait Hasani, ka thënë se Asllani në librin e tij ka përshkruar torturat e përjetuara dhe largimin nga burgu i Dubravës.

“Në këtë libër me kujtime, Asllani e ka përshkruar prej arrestimit të tij në Mitrovicë. Ai ishte i angazhuar me detyrat e tij të ndërlidhjes, përmes vëllaut të tij Rexhep Selimit. UÇK ishte e padukshme dhe ishte kudo dhe ishte bërë tmerr edhe i Serbisë. Rritja e UÇK-së binte në sy të popullatës që kërkonte liri. Arrestimi i Asllanit dhe torturat e përjetuara janë dëshmi e mjaftueshme e torturave qe kemi përjetuar”, ka thënë Hasani.

Për këtë libër ka folur edhe ish gjenerali Kudusi Lama.

“Ajo çfarë më befasuan, edhe kur don të flet te nëna madhështore; ai e përshkruan nënën e një luftëtari tjetër, janë madhështitë që na sjell. Edhe në burgjet e Serbisë, është zhvilluar luftë. Unë në procesin e leximit të librit, shumë herë e kam gjeture vetën me rrahje të shpeshta të zemrës, është e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Ndërkaq, sipas redaktorit të këtij libri, Lan Qyqalla, ky ditar duhet të ketë vend në sirtarët e bibliotekave të shkollave.

“Ditari ka rrjedhën e ngjarjeve të burgjeve sllave. Të rrënqethë trupin me përshkrim real, të mbush me lot për torturat qe janë përjetuar të burgosurit shqiptarë. Nuk e përshkruan ngjarjen në formën e pesimizmit. Ky ditar ka motivimin e qëndresës së atdhetarëve”, ka shtuar ai.

Back to top button