Protesta e nesërme e biznesve, policia del me detaje

Policia e Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me protestën e parlajmëruar nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Protesta do të mbahet nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe do të ketë bllokim të rrugëve
Protesta, e cila është paralajmëruar në një periudhë të shkurtër, do të jetë e qetë dhe me bllokim të pjesshëm të disa prej rrugëve hyrëse kryesore në Prishtinë, përmes vendosjes së automjeteve të rënda nga kompanitë pjesëmarrëse.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, protestuesit do të pozicionohen në këto pika kyçe:
Veternik – drejtimi për në hyrje të qytetit,
Rrethi te Kazerma – drejtimi Fushë Kosovë – Prishtinë,
Rrethi i Arbërisë – drejtimi Mitrovicë – Prishtinë,
Vranjevci – Sharbanët – drejtimi Podujevë – Prishtinë.
Policia njofton se do të jetë aktive në terren për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për menaxhimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative. Qytetarëve u kërkohet mirëkuptim për vonesat eventuale gjatë orarit të protestës dhe sugjerohet shmangia e rrugëve të lartpërmendura për të evituar bllokime dhe ngarkesa të panevojshme.
Policia thekson se gjatë takimeve koordinuese me organizatorët, janë theksuar obligimet ligjore dhe kufizimet, duke përfshirë ndalimin e bllokimit tërësor të rrugëve publike.
Në fund, Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren, duke kontribuar në mbarëvajtjen paqësore të protestës dhe ruajtjen e sigurisë së përgjithshme.