Protesta e studentëve zhvendoset para Parlamentit

Studentët kanë njoftuar se në orën 10:00 do të marshojnë për në Parlament

Protesta e studentëve shqiptarë sot është zhvendosur para parlamentit. Ndërkohë që sot do të zhvillohet seanca plenare ku do të diskutohet dekreti i Presidentit për buxhetin, studentët do të kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre. Këtyre kërkesave i është bashkuar edhe ajo për rrëzimin e ligjit për arsimin e lartë.

Pas grumbullimit nëpër Fakultete, studentët kanë njoftuar se në orën 10:00 do të marshojnë për në Parlament.

“Bojkotimi i mësimit, mbledhjet koordinuese në fakultete do të jenë të përditshme. Dita e nesërme, kur Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare, është vendimtare. Aty do të jenë strukur të gjithë përgjegjësit e katastrofës universitare, të sotmit dhe të djeshmit”,  ka shkruar në FB Lëvizja për Universitetin.

Një ditë më parë studentët e dy fakulteteve, Shkencave Sociale dhe Ekonomiku vendosën që protesta dhe bojkoti mësimor të vijojë edhe pas pushimeve të fundvitit.

Ndërsa, kryeministri Edu Rama ka nisur një dialog me studentë dhe pedagogë të Fakulteteve dhe Universiteteve, si dhe ka bërë publik edhe planin për zbatimin e 8 pikave të kërkuar nga studentët, raporton Oranews.

Back to top button