Protesta në përkrahje të çlirimtarëve mbahet më 13 dhjetor në Shkup

(Lajm i përditësuar)
Syla i OVL e UÇK: Autoritetet maqedonase ende nuk kanë dhënë përgjigje për protestën në Shkup
Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, tha se për kërkesat e domosdoshme për mbarëvajtjen e protestës së radhës e cila do të mbahet në Shkup më 13 dhjetor, autoritetet maqedonase nuk kanë dhënë ende asnjë përgjigje për një gjë të tillë.
“Fatkeqësisht deri më dje nuk kemi marrë përgjigje nga Shkupi zyrtar për shfrytëzimin e hapësirës publike, kërkesën që e kemi bërë. Po presim, po besojmë që deri në atë kohë kemi për të marrë përgjigje nga ta”, u shpreh ai në konferencën për media.
Për deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili tha se nuk e mbështet këtë protestë, Syla tha se OVL-UÇK nuk i ka bërë ftesë Mickoskit për të marrë pjesë në këtë protestë.
“Këto deklarata nuk tregojnë unitet, por më shumë përçarje, prandaj për neve kanë qenë të papranueshme. Asnjëherë nuk kemi qëllim të ndikojmë në politikat e tyre të brendshme atje”, tha ai./21Media
Protesta në përkrahje të çlirimtarëve mbahet më 13 dhjetor në Shkup
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka njoftuar se protesta e radhës në përkrahje të çlirimtarëve, do të mbahet më 13 dhjetor sheshin “Skënderbeu” në Shkup.
Ai, gjatë një konference për media tha se protesta do të nisë nga ora 13:00.
Kujtojmë se kjo është protesta e pestë me radhë për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
OVL e UÇK-së thërret konferencë për media
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka njoftuar se do të mbaj një konferencë për media sot në ora 10:00.
Konferenca do të zhvillohet në zyrat e OVL UÇK-së, ku pritet të adresohen çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimet e fundit rreth organizatës.
Ndërkohë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka njoftuar se protesta e radhës për përkrahjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë, do të zhvillohet edhe në Shkup më 13 dhjetor, duke filluar nga ora 13:00 në sheshin “Skënderbeu”.
“Më 13 dhjetor, me fillim nga ora 13:00, do të protestojmë edhe në Shkup për të kërkuar drejtësi dhe për të treguar përkrahje ndaj çlirimtarëve që padrejtësisht po mbahen në burgjet e Hagës. Protesta është planifikuar të mbahet në sheshin ‘Skënderbeu’”, deklaroi Ahmeti, duke ftuar shqiptarët t’i bashkohen marshit, siç tha ai, “për të dëshmuar luftën e pastër për liri dhe pavarësi”.
Ahmeti ka marrë pjesë edhe në protestat e mëdha të mbajtura më herët në Prishtinë dhe Tiranë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Kurse, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e ka cilësuar protestën e paralajmëruar nga Ahmeti si një “lëvizje të gabuar”.
“Unë nuk e mbështes këtë ide dhe as nuk pajtohem me këtë marsh. Jam i bindur se as VLEN nuk do ta mbështesë”, ka theksuar Mickoski.