Protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës

(Lajm i përditësuar)


Ministria e Ekonomisë mbushet me pankarta kundër shtrenjtimit të rrymës

Protestuesit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike kanë vendosur pankartat që mbanin në duar para derës së objektit të Ministrisë së Ekonomisë.

Pas nisjes së protestës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, protestuesit e shumtë kanë vazhduar ecjen deri te Ministria e Ekonomisë.

Asnjë cent më shumë ka organizuar sot protestën e radhës kundër shtrenjtimit të paralajmëruar të energjisë elektrike nga ZRRE-ja prej 15 për qind duke filluar nga data 11 prill.

Qytetarët edhe kësaj radhe ngritën fuqishëm zërin kundër shtrenjtimit të rrymës duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të mos marrin një vendim të tillë.

Qindra qytetarë iu janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së grupit “Asnjë cent më shumë” për të protestuar kundër shtrenjtimit të rrymës.


Shabiu: Presim që institucionet të reflektojnë dhe të heqin dorë nga kjo vështirësi

Aktivisti Besnik Shabiu nga “Asnjë cent më shumë”, i ka bërë të ditura edhe një herë kërkesat e qytetarëve lidhur me çmimin e energjisë elektrike.

Shabiu tha se presin që institucionet e vendit të reflektojnë deri më datë 11 prill kur ZRrE ta marrë vendimin.

Ndërkohë që theksoi se nëse bëhet shtrenjtimi i energjisë elektrike prej 15%, ashtu siç është paralajmëruar do të ketë protesta të tjera masovike.

“Deri ditën e premte më datë 11 prill, dita kur ZRrE ta merr vendimin, në presim që institucionet relevante të reflektojnë dhe të heqin dorë nga kjo vështirësi. Deri atëherë do të jemi të detyruar të ngrisim zërin dhe nuk do të lejojmë që jeta e qytetarëve të vështirësohet. Hiqni dorë nga kjo ide e shtrenjtimit të energjisë elektrike sepse do të përballeni me protesta masovike. Asnjë cent më shumë”, tha Shabiu.


Fillon protesta kundër shtrenjtimit të rrymës

Qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të kundërshtuar rritjen e paralajmëruar të çmimit të energjisë elektrike.

Pjesëmarrësit shihen të mbajnë pankarta me mbishkrime të ndryshme si ‘‘Asnjë cent më shumë’’. Tjera janë edhe ato si ‘’Jo më padrejtësi në emër të energjisë’’, ”A shtrejtohet terri?”.

ZRRE-ja më 11 prill do të vendosë ose jo për shtrenjtimin e çmimit të rrymës për 15%.

Back to top button