Protestohet kundër vizitës së pelegrinëve serbë
“Gjakova nuk harron”, “Gjakova kërkon drejtësi”
Qytetarët e Gjakovës kanë nisur protestën paqësore për të kundërshtuar vizitën e pelegrinëve serbë në Gjakovë, të cilët janë të dyshuar për krime lufte.
Përmes një njoftimi, organizatorët kanë bërë të ditur se nuk kanë problem me besimin e pelegrinëve, por me të bëmat e tyre.
“Problemin që kemi ne është se në mesin e tyre ka persona të cilëve ne ua njohim të bëmat gjatë luftës. Ata kanë emër e mbiemër. Por, jemi dëshmitarë se të njëjtit nuk janë hetuar, gjykuar, e dënuar, për këto të bëma. Në këto rrethana kur heshtja institucionale ka shtuar kripë në plagët tona, vizita e tyre në qytetin që e lanë me gjak dhe e bënë shkrumb e hi është provokim”, bëhet e ditur në njoftimin e organizatorëve.
Nën moton “Gjakova nuk harron” dhe “Gjakova kërkon drejtësi”, protesta po mbahet te rruga “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë.