Protestojnë bizneset, kërkojnë lejimin e shfrytëzimit të hapësirave publike

(Lajm i përditësuar)

Pronarë të bizneseve të vogla të kryeqytetit kanë protestuar të hënën para ndërtesë së Komunës.

Ata kanë kërkuar lejimin e shfrytëzimit të hapësirave publike. “A ka drejtësi në këtë vend”, “Stop diskriminimit ndaj bizneseve të vogla”, “Neglizhenca e juaj detyrim për migrim ndaj neve”, kanë qenë disa nga pankartat që ata i mbanin në duar.

Përfaqësuesi i Shoqatës së bizneseve të vogla, Sadudin Hasani tha se kanë marrë edhe gjoba nga Inspektoriati.

“Qëllimi i protestës është për kushte më të mira në veprimtarinë në të cilën ne e ushtrojmë. Ne më herët kemi pas frigoriferë, na i ka largu komuna, na kanë udhëzuar të bëjmë kërkesë për leje dhe e kemi bërë atë kërkesë dhe nuk janë marrë për bazë ato kërkesa. Që një vit e kemi bërë këtë kërkesë”, tha Hasani.

Enver Gashi nënkryetar i Shoqatës, tha se janë dëmtuar shumë si shkak i moslejimit të shfrytëzimit të hapësirave.

“Unë më shumë kam dal me mbrojtur këtë, mos me lejuar që rinia me dal jashtë. Nëse nuk na mundësojnë me punuar dhe me i mbajt fëmijët këtu, le të vijnë dhe t’i largojnë, rrugën hapur e kanë. 60% na ka dëmtuar si biznese”, tha Gashi.

1 maji, protestojnë bizneset e vogla

Bizneset e vogla të kryeqytetit do të protestojnë sot më 1 maj para objektit të Komunës së Prishtinës.

Sipas njoftimit për media nga shoqata “Bizneset e vogla”, protesta do të nis në orën 09:00.

Sipas njoftimit, protesta do të mbahet kundër padrejtësisë dhe diskriminimit që po u bën komuna në shfrytëzimin e hapësirave publike.

”Arsyeja e protestës është kundër padrejtësisë e diskriminimit që po na e bënë Komuna e Prishtinës sa i përket shfrytëzimit të hapësirave publike. Kundër stërzgjatjes së vazhdimit të lejeve për shfrytëzimin e kiosqeve. Edhe njëra prej kërkesave në protestë do të jetë vazhdimi i lejeve për shfrytëzimin e kiosqeve”, thuhet në njoftimin e shoqatës./21Media
Back to top button