​PSD-ja u dënua me 20 mijë euro nga AIP, Molliqaj kërkon ndihmë nga qytetarët

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka dënuar PSD-në për publikimin e të dhënave të peticionit kundër “Zajednicës”, duke i shqiptuar gjobë 20 mijë euro.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD) Dardan Molliqaj ka kerkuar ndihmë nga qytetarët për ta paguar dënimin.

Molliqaj përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se kjo Agjenci, e cila, sipas tij, drejtohet nga një militante e LVV-së, ka dënuar pa arsye PSD-në.

“Shteti i kapur nga Albin Kurti sot po përdoret për luftë speciale kundër opozitës. Agjensioni i Privatësisë që drejtohet nga një militante e VV-së, e dënoi PSD-në me 20 mijë euro gjobë, pa arsye, n’shpërputhje me ligjin dhe vetëm për shkak të presionit që i erdhi nga Qeveria. Qeverisë së “Zajednicës”, i paska penguar aq shumë që ia kemi shpalosur peticionin që po e shkelë”, ka shkruar Molliqaj.

Ai ka thënë se do ta ushtrojnë padi ndaj këtij dënimi.

“Prandaj ju bëj thirrje sot që të na ndihmoni me kontribute financiare, për ta përballuar këtë dënim tërësisht të padrejtë e të jashtëligjshëm. Ne do të bëjmë edhe padi gjyqësore kundër këtij dënimi, por ndërkohë konfiskimet përmbaruese do të fillojnë shumë shpejt”, ka shkruar ai.

Back to top button