PSD kërkon lirimin e Molliqajt

Partia Socialdemokrate ka kërkuar që të lirohet kryetari i saj Dardan Molliqaj.
Përmes një konference për media, anëtari i Kryesisë së PSD-së, Dren Kukaj, ka thënë se gjatë arrestimit të Molliqajt nuk janë treguar arsyet e arrestimit e as nuk është prezantuar fletarrestim.
“Fletarresti është lëshuar pasi është realizuar operacioni policor. Neve na është treguar vetëm një screenshoot ku kemi vërejtur se është realizuar pas arrestimit”, ka thënë ai.
“Kemi të bëjmë me një operacion policor të organizuar me mbi 60 policë me armë të gjata e që është realizuar brenda hapësirave të një televizioni”, ka shtuar Kukaj.
Tutje, ai ka thënë se nuk janë plotësuar kushtet për t’i shqiptuar Molliqajt masa e ndalimit 48 orë, ndërsa është thënë se ftesat nuk janë dorëzuar në përputhje me kodin e procedurës penale.
Anëtari i Kryesisë së PSD-së ka theksuar se Molliqaj ka qenë gjatë ditës në zyre dhe në qytet, dhe nuk i është fshehur policisë.
Kukaj ka thënë se Molliqaj është arrestuar në hapësira të një televizioni./21Media
 

Back to top button