Pse i preferojmë filmat horror?
Zakonisht filmat e frikshëm ose i shikojmë, ose nuk i shikojmë për asnjë çmim.
Logjikisht, çdo njeri duhet të largohet nga gjërat që nxisin frikë. Por filmat horror në një farë mënyre nxisin kurreshtjen e shumë dashamirëve të filmave.
Nëse ndalemi dhe mendojmë për këtë, është paksa hutuese, por filmat horror janë të popullarizuar. Sipas ekspertëve, janë disa arsye pse ne preferojmë filma horror.
Glenn Sparks është profesor për komunikim në Universitetin Purdue.
Ai sqaron se njeriun gjithmonë e tërheqë e panjohura dhe paranormalja. Sipas tij, kur mediet i prezantojnë ngjarjet e mbinatyrshme si të vërteta, kjo u ngulitet në mendje shikuesve, dhe u duket sikur ato ekzistojnë.
Sparks ka thënë se pyetjeve rreth të panjohurës u jipen përgjigjet përmes të mbinatyrshmes.
Ai ka thënë se Hollywood-i me kalimin e viteve ka prodhuar filma me përmbajte skenash të mbinatyrshme. Dhe si rezultat i kësaj, edhe dëshira e shikuesve për të parë gjëra të tilla është shtuar.
Sparks ka sqaruar se nëse një ide paranormale apo ngjarje prezantohet në media nga individë të besueshëm, atëherë njerëzit gjithsesi do ta besojnë se e mbinatyrshmja është e vërtetë.
Po ashtu një studim i publikuar në revistën Media Psychology nxjerr në pah se njerëzit i shikojnë filmat e frikshëm për disa arsye, e ajo janë: se në ta ka tension dhe nuk janë të vërtetë, e disa i shikojnë sepse ata fshehin mistere.
Sipas ekspertëve, çdo njeri i përjeton gjërat ndryshe. Nëse jeni të ndjeshëm, nëse i analizoni gjërat thellësisht, shikimi i filmave të frikshëm do të ishte i tepërt për ju, por nëse nuk jeni të ndjeshëm, do të argëtoheni në atmosferën e krijuar nga ai./21Media