Publikohen vendimet e MAPL-së për Ekipin menaxhues për themelimin e Asociacionit

Ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, sot ka publikuar tri vendime të qeverive të kaluar për “Ekipin menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Në një postim në Facebook ai ka shkruar se këto vendime i ka bërë publike pasi si ministri kanë marrë shumë pyetje dhe kërkesa për qasje në dokumente publike lidhur me këto vendime.

Sipas Krasniqit “nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar; Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq”.

Tutje Krasniqi ka shtuar se më 18 prill i është drejtuar me ftesë për takim këtij Ekipi, por se ende nuk ka marr përgjigje.

“Së fundmi, si ministri kemi marrë shumë pyetje dhe kërkesa për qasje në dokumente publik për vendimin për “Ekipin Menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”. Më lejoni që të ju njoftoj se për këtë ekip, janë gjithsej tre vendime të Ministrisë së Pushtetit Lokal të tre qeverive të ndryshme, që janë bazuar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Vendimi i parë ishte marrë në qershor të vitit 2013, gjatë Qeverisë Thaçi. Vendimi i dytë ishte marrë në qershor të vitit 2016, gjatë Qeverisë Mustafa. Vendimi i tretë ishte marrë në shtator të vitit 2020, gjatë Qeverisë Hoti. Nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar; Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq. Dy tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijela Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues. Pika e gjashtë e vendimi të vitit 2020 parasheh që Ekipi Menaxhues koordinohet dhe i raporton për aktivitetet e tij ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Ju njoftoj se të martën me 18 prill, si ministër unë i jam drejtuar me ftesë për takim këtij grupi. Ftesë kjo që nuk ka marrë përgjigje. Të bashkëngjitura gjeni vendimet ndër vite për Ekipin Menaxhues dhe ftesën për takim”, ka shkruar Krasniqi./21Media

Back to top button