Publikohet lista e UEFA-së, kjo është skuadra kosovare më e vlerësuar
Në prag të mbylljes së vitit kalendarik, shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA ka publikuar renditjen e përgjithshme për klubet evropiane.
Në listën e paraqitur nga UEFA, klubi KF DRITA zë pozitën e 246-të, me koeficient 5 mijë dhe kështu është skuadra më e vlerësuar në futbollin e Kosovës.
Nga pjesëmarrjet në garat ndërkombëtare, klubi nga Gjilani në edicionin 2018/19 grumbulloi 1500 pikë (pozita 372), 2000 pikë në garat e edicionit 2020/2021(pozita 296) dhe 1500 të tjera në pjesëmarrjen e këtij viti 2021/22 (pozita 246).
Pas paraqitjeve të shkëlqyeshme në garat evropiane, KF DRITA vazhdon të mbetet klubi me më së shumti pikë nga Kosova në renditjen e Evropës për klube.
Ecuria e Dritës dhe skuadrave të tjera pjesëmarrëse në garat ndërkombëtare ka ndikuar edhe në renditjen e Kosovës, duke e ngritur atë në pozitën e 39-të me 8 mijë e 166 pikë.
Fal paraqitjeve të mira, edicionin garues 2022/23 Kosova do të paraqitet me 4 ekipe në garat evropiane, në Champions League, Europa League dhe Conference League, respektivisht: kampioni, fituesi i Kupës, vendi i dytë dhe vendi i tretë në Superligë.