Publikohet raporti për vendimet e Qeverisë së Kosovës gjatë vitit 2021

Qeveria e Kosovës, që nga fillimi i këtij mandati, ka mbajtur 53 mbledhje dhe ka aprovuar gjithsej 486 vendime. Numri më i madh i vendimeve sipas institucionit zbatues i takon Zyrës së Kryeministrit me 124 vendime. Në vendin e dytë për nga numri i vendimeve është Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me gjithsej 97 vendime, përcjellur nga Ministria e Shëndetësisë me gjithsej 54 vendime.
Kështu ka bërë të ditur Instituti GAP në publikimin e raportit të fundit për ”Vendimet e Qeverisë së Kosovës gjatë vitit 2021 nga perspektiva sektoriale, gjinore dhe buxhetore”.
Sipas raportit në aspektin sektorial, 21 % e vendimeve ishte në fushën e qeverisjes. Një numër i madh i vendimeve ishte edhe në fushat që iu atribuan menaxhimit të pandemisë, e që janë: 8.2% nga gjithsej vendimet për menaxhim të pandemisë, 6.2% për fushën e shëndetit publik dhe mbrojtjes sociale, dhe 4.9% për ringjalljen ekonomike. Një kategori tjetër me numër më të lartë të vendimeve ishte ajo e sundimit të ligjit, 7.6%.
Ndërsa, në aspektin gjinor, nga të dhënat e mbledhura nga këto vendime vërehet se ka një progres në përfaqësimin e grave në pozita udhëheqëse. Konkretisht, përmes këtyre vendimeve janë emëruar gjithsej 89 zyrtarë, ku prej tyre 35 gra (39.3 %) dhe 54 burra (60.7%). Nëse analizohen sipas pozitave, 44.7% të grave janë emëruar si anëtare të bordeve, 35.1% si anëtare të komisioneve, dhe 33.3% si sekretare të përgjithshme.
Qëllimi i këtij raporti është të analizojë vendimet e Qeverisë Kurti, nga marrja e mandatit në fund të muajit mars 2021, deri në fund të vitit 2021, duke bërë ndarjen e tyre sipas institucioneve dhe sipas fushave/sektorëve./21Media

Back to top button