Pulmologjia në kushte të rënda, s’ka mjete për ndërtimin e objektit

Klinika e Pulmologjisë në QKUK ka mungesë të hapësirave si për pacientë ashtu edhe për vet stafin mjekësor me qëllim të ofrimit të shërbimeve më cilësore. Ndërsa, edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi e pranon se kjo klinikë nuk i plotëson kushtet për funksionim, prandaj thotë se kur të kenë mundësi do të investojnë.
Për këtë klinikë që ka gjithsej 66 shtretër dhe është e vendosur në objektin e Klinikës së Dermatologjisë, nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës shprehen se investimet për ndërtimin e objektit të Pulmologjisë kanë munguar për shkak të buxhetit.
Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha shprehet se vazhdimisht kanë mungesë të hapësirave, prandaj po detyrohen të shtojnë shtretër nëpër dhoma ku qëndrojnë pacientët.
Ai ka thënë se kjo gjendje po e pengon edhe punën e tyre si profesionistë mjekësorë.
“Me hapësira vazhdimisht kemi probleme për shkak se nevojat që kanë ekzistuar edhe gjatë pandemisë por edhe tani pas pandemisë, nevojat e problemeve të traktit respirator ditë e për ditë por rriten, kurse kapacitet tona janë fikse 66 shtretër, tash për momentin ka Klinika e Pulmologjisë, por që edhe ata shtretër gjenden në kushte jo të mira, dhomat që janë për dy shtretër i kemi bërë tre shtretër, dhomat që janë tre shtretër i kemi bërë me katër shtretër do të thotë jemi me hapësira mjaftë ngushtë. Kurse në anën tjetër edhe sa i përket kushteve të punës edhe të kolegëve specialistë por edhe specializantëve i kemi mjaftë të rënda, për shkak se nuk kemi hapësira edhe për aspektin e përgatitjes së mjekëve të rinj, por edhe të studentëve dhe njëherit kemi edhe telashe me zgjerimin e kabineteve siç është ai i provave respirator, sperometrisë, kabineti i EHO-së, ai i bronkoskopisë, radiologjisë etj. Ne edhe pse ishte dashur që për zhvillim të mirëfilltë klinikës që të zgjerohemi edhe me hapësira, edhe me metoda diagnostike të reja për shkak të mundësive të kufizuara të hapësirave nuk mundemi. Kemi probleme edhe në aspektin e zhvillimit profesional dhe të zgjerimit të metodave diagnostikuese”, u shpreh ai.
Ankesa lidhur me gjendjen e kësaj klinike thonë se pranojnë vazhdimisht nga pacientët edhe Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve. Besim Kodra, nga kjo shoqatë, konsideron se gjendja në Pulmologji është alarmuese.
Ai ka thënë se mungesa e kushteve cilësore në klinikat publike po i shtyn pacientët drejt atyre klinikave private dhe jashtë vendit.
“Për këtë klinikë kemi pasur ankesa të vazhdueshme, e me theks të veçantë gjatë pandemisë, ku familjarë dhe pacientë janë ankuar për kushtet jo të mira të trajtimit në atë klinikë, madje edhe rastet ku kanë përfunduar me fatalitet gjatë pandemisë, ndërsa ankesat e tjera thuhet se nuk ka pas kushte për trajtim të pacientëve. Gjithsesi duhet të bëhet një zgjidhje në mënyrë që pacientët të kenë një trajtim të dinjitetshëm, nëse kjo nuk bëhet padyshim që pacientët do të ikin jashtë institucioneve publike dhe jashtë Kosovës, dhe trendi i ikjes jashtë institucioneve publike bëhet nga mungesa e kushteve në këto institucione… Pacientët duhet të kenë siguri në marrjen e shërbimeve në Klinikën e Pulmologjisë e aq më tepër kur tani jemi në një situatë kur jemi pas COVID-it dhe nevoja për shërbime të tilla veç po rritet, prandaj institucionet duhet të ndërmarrin hapa të shpejtë për të garantuar që pacientët të kenë kushte të mira të trajtimit por pse jo edhe punëtorët kushte të mira të ofrimit të shërbimit” , theksoi Kodra.
Ndonëse e ka listuar si projekt me prioritet ndërtimin e një objekti për Pulmologjinë, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se nuk kanë siguruar buxhet për një projekt të tillë.
Krasniqi e konsideron tejet të nevojshme krijimin e hapësirave të reja për këtë klinikë.
“Klinika e Pulmologjisë është vendosur aty në atë objekt që nga paslufta viti 2002-2003 dhe që nga ajo kohë është aty. Ne si menaxhment i ri i SHSKUK-së e kemi identifikuar si nevojë ndërtimin e një klinike të re, deri më tani nuk kemi arritur të sigurojmë buxhetin e mjaftueshëm, por e kemi prioritet ndërtimin dhe është më se e nevojshme ndërtimi i një klinike të re të Pulmologjisë”, theksoi Krasniqi.
Se Klinika e Pulmologjisë nuk i plotëson kushtet për funksionim e pranon edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi i cili ka thënë se në mundësinë e parë që u ofrohet do të investojnë për këtë klinikë.
“Klinika Pulmologjike nuk i plotëson kushtet për funksionim siç është tash. Kështu që mundësinë e parë që kemi me pas do ta rregullojmë, por kemi shumë objekte të infrastrukturës që janë filluar dhe kanë mbetur gjysmë kështu në këtë mandatin tim vetëm do t’i rregullojmë këto ndërtesa që kanë filluar dhe t’i plotësojmë me staf klinik dhe inxhinierik e teknik, ne e ndërrojmë shëndetësinë jashtëzakonisht shumë”, theksoi Latifi.
Gjatë pandemisë kjo klinikë ka qenë e mbingarkuar me pacientët me COVID, ndërsa edhe tani vazhdojnë të hospitalizohen dhe të kërkojnë trajtim mjekësor pacientë post-COVID krahas atyre me sëmundje të tjera respiratore./kp

Back to top button