Punësimi, Haradinaj- Kurtit: ASK të ka tregu që mbi 211 mijë qytetarë kanë ikur nga Kosova sa ti ke qeverisë

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradianj i ka reaguar kryeministrit Ablin Kurti pasiqë ky i fundit ka thënë se ka rritje të punësimit në Kosovë në tri vitet e fundit.
Haradinaj ka thënë se Kurti po mashtron.
“Nuk ndërtohet vendi e as nuk qeveriset gjithmonë me mashtrim. Nëse nuk ta kanë thënë dhe nëse nuk e din vetë, çka unë dyshoj, jeta e qytetarit të Kosovës nuk është duke u përmirësuar por është duke u varfëruar. Askush nuk ju beson më shifrave tua e edhe militantët që të rrinë përreth e dijnë që je duke mashtruar dhe po abuzon me numra për zhvillim ekonomik dhe punësim.
Nëse e ke rritë buxhetin për 35%, pse të paktën s’po i rritë pagat e pensionet, bile të paktën 25%? Ndoshta po pret fushatën zgjedhore e pastaj ta realizosh rritjen se të duhet për vota. S’ka lidhje. Përfito me këtë formë të ulët mashtrimi por veç ngriti pagat sepse njerëzit e këtij vendi janë dhe kanë shumë nevojë për rritje pagash e pensionesh. Çdo ekspert buxheti e din që ke mundësi për rritje deri në 25-30% pa asnjë problem qysh sot”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
I njëjti po ashtu ia ka përmendur Kurtit edhe shifrat e emigrimit gjatë mandatit qeverisës.
“Agjencioni i Statistikave që është pjesë e zyrës së Kryeminstrit të ka tregu që 211, 749 qytetarë e kanë braktisë Kosovën për 4 vite sa ti ke qeverisë. Nëse flet me të rinj, shumë prej tyre janë duke aplikuar dhe duke u përpjekur që të ikin dikah. Nuk ke asnjë ide asnjë koncept me ndihmu vendin përveç populizmit, fjalëve të bukura dhe veprimeve boshe. Mos abuzo me statistika e mos mashtro. Kërkah s’është drejtimi që i ke dhënë Kosovës. Me trendet që i ke nuk besoj që të duhet fitorja në zgjedhje. Nuk përfiton Kosova e jam i sigurt që as ti, sepse “zullumi këputet për së trashi” thotë populli”, ka shkruar Haradinaj.
Kryeministri Kurt ka thënë se krahasuar me vitin 2021 punësimi në Kosovë është rritur me 20%./21Media