Punët ndërtimore të autostradave në pauzë

Kush do të paguaj çmimin për gabimet dhe shkeljen e afatëve

Ende nuk dihet se ç‘do të bëhet me segmentet rrugore Milladinovci-Shtip dhe Kërçovë-Ohër. Pas raportimit të një pjese të mediave se ndërtimi i projekteve mega-infrastrukturore është stopuar, heshtje nga qeveria, institucionet dhe kompanitë ndërtimore vendase. Sipas informacioneve, ndërprerja e punimeve ndërtimore është iniciuar nga firma kineze Sinohidro e cila është realizuese kryesore e punimeve. Me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë, kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi takim me realizuesin kinez si dhe me palët tjera të kyçura në këto projekte.

“Jam i njoftuar për ngecjen disamujore të ndërtimit të autostradave që është shkaktuar nga gabimet gjatë projektimit, për shkak të moszgjidhjes në kohë të marrëdhënieve pronësoro-juridike në autostradën e parë dhe për shkak të ndryshimit të trasesë në të dytën. Për zgjidhjen e shpejtë të problemeve do të takohem me përfaqësues të firmës realizatore nga Kina”, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër i RM.

TV21 tentoi t’i kontaktojë firmat ndërtimore që janë nënkontraktuese të projekteve. Nga kompanitë nuk ishin në gjendje të jepnin përgjigje konkrete sepse personat drejtues ndodheshin në terren. Sipas informacioneve jozyrtare, puna në segmentin nga Kërçova deri në Ohër është bllokuar plotësisht pasi inspektorati gjeti gabime serioze gjatë punimeve ndërtimore.

Ndërkaq, në pjesën lindore të Maqedonisë, në drejtimin rrugor prej Milladinovcit deri në Shtip, punët ndërtimore kanë qenë minimale dhe nuk kanë ecur sipas dinamikës së parashikuar. Për të dhënat konkrete, përgjigje kërkuam nga drejtori i ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore, por ai nuk iu përgjigj thirrjeve tona.

“Ngecjet e punimeve ndërtimore të segmenteve të autostradave në perëndim dhe në lindje të vendit, jo vetëm se do të ndikojnë në shkeljen e afateve për përfundimin e tyre, por do të ndikojnë negativisht edhe në gjendjen financiare të projekteve. Sipas informacioneve, një kilometër autostradë në segmentin Milladinovci-Shtip kushton diçka më shumë se 4 milionë euro, ndërsa për një kilometër rrugë për projektin Kërçovë-Ohër nevojiten mbi 5 milionë euro. Këto çmime janë disa herë më të larta nga rrugët që po ndërtohen aktualisht në vendet evropiane.”

Ministri i ri për transport Goran Sugareski ndodhet në Sofje në shoqërim të kryeministrit Zaev. Nga kabineti i tij theksuan se për shkak të angazhimeve, për këtë problem, Sugarevski do të gjejë kohë ditën e nesërme. Paraardhësi i tij nga VMRO-DPMNE Vllado Misajllovski, për TV21 thotë se deri në ditën e fundit të tij si ministër, ndërtimi i autostradave ka vazhduar pa kurrfarë ngecjeje.

“Tre autostradat ndërtoheshin me kohë të rregullt deri në ditën time të fundit si ministër. Porosis që qeveria e re, në vend se të krijojë alibi, të përkushtohet në mënyrë aktive me sfidat që burojnë nga realizimi i projekteve të këtilla të mëdha, të cilat sfida duhet të tejkalohen çdo ditë”, tha Vllado Misajllovski, ish ministër për Transport dhe Lidhje.

Të dyja autostradat Milladinovci-Shtip dhe Kërçovë-Ohër po ndërtohen me kredi prej 500 milionë eurosh nga banka kineze Eksim. Prokuroria Speciale për këtë tender e hapi rastin me emrin “Trajektorja” ku i dyshuari i parë është ish kryeministri Nikolla Gruevski. Ai bashkë me funksionarë të lartë dyshohen se i kanë mundësuar firmës ndërtimore nga Kina, tenderin ta fitojë në mënyrë të paligjshme dhe me këtë, arka shtetërore është dëmtuar për 155 milionë euro. Gjithashtu u problematizua edhe ndërtimi i autostradës Demir Kapi – Smokvicë që është në ndërtim e sipër. Në lidhje me këtë, Agjencia evropiane për luftimin e korrupsionit, firmën greke “Aktor” që është realizuese kryesore, e dënoi me 50 milionë euro për mashtrim dhe për larje të parave në këtë projekt./21Media

Back to top button