​KEK reagon ndaj protestës së ish-punëtorëve të sigurimit fizik: Nuk kanë kontratë pune

(Lajm i përditësuar)


Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj protestës së sotme të ish-punëtorëve të sigurimit fizik, ku njofton se në bazë të dokumentacionit të cilin e kanë trashëguar, figuron se njësia “ish Mbrojtja dhe Siguria” ishte ndarë (shthurur) nga KEK-u para 19 viteve (pra në vitin 2004) sipas strategjisë në fuqi të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Sipas KEK-ut, nga ajo kohë ky shërbim kontraktohet nga kompanitë e licencuara të sigurimit fizik.

“Për sqarim, procesi i shthurjes së KEK-ut ka filluar në vitin 2004/05, faza e parë, me ndarjen e njësive jo-qenësore (9 njësi jo-qenësore përfshirë edhe shërbimin e sigurisë fizike), duke vazhduar në vitin 2006 me ndarjen e operatorit të sistemit dhe transmisionit (KOSTT) dhe në fund, ndarjen e operatorit të shpërndarjes dhe furnizimit (KEDS/KESCO) në vitin 2013”, thuhet në reagim.

Për më tepër, KEK-u bën të ditur se në bazë të dokumentacionit që posedojnë, asnjë nga ish punëtorët e kësaj ish njësie të shthurur në vitin 2004 nuk kanë kontratë pune me KEK sh.a.

“Në këto rrethana, nga aspekti ligjor, punëtorët në fjalë nuk kanë asnjë mundësi të figurojnë të jenë punëtorë të subjektit juridik KEK sh.a. pasi që ata kanë kaluar tek kompanitë private para se të regjistrohej KEK sh.a. si korporatë në vitin 2005”, thuhet në reagimin e KEK-ut.

Më tej, KEK vlerëson se, Ligji për shërbimet private të sigurisë (Nr. 04/L-004) parasheh që (1) Shërbimet e sigurimit ofrohen vetëm nga kompanitë private të sigurimit, të licencuara dhe të autorizuara në pajtim me këtë ligj, dhe (2) Shërbimet e sigurimit ushtrohen vetëm përmes punëtorëve të licencuar të sigurimit në pajtim me këtë Ligj.

Mbi këtë bazë, KEK sh.a. as nuk është i licencuar dhe as që ka mundësi për te aplikuar për licencim.

“Për më tepër çdo punësim i ri i punëtorëve në KEK sh. a. duhet të bëhet në pajtim me Ligjin e Punës dhe aktet tjera nënligjore, si Udhëzimi i MPMS për krijimin e marrëdhënies se punës ne sektorin publik (2011/14) për punësimet e reja. Lidhur me këtë, duke pas parasysh faktet e lartcekura dhe bazuar në ligjet në fuqi, KEK sh.a. nuk ka asnjë mundësi ligjore për ri-organizimin e këtij shërbimi në kuadër të korporatës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas KEK-ut, pavarësisht të gjithave, menaxhmentet e kësaj kompanie gjithmonë kanë bashkë ndjerë me situatën e krijuar nga shumë vite më herët, me ç ‘rast duke pasur synim primar sigurinë fizike të objekteve dhe pronës, përkundër kufizimeve të Ligjit të Prokurimit Publik, menaxhmentet gjithmonë kanë inkurajuar të gjithë OE të suksesshëm që janë kontraktuar për sigurim fizik, që asnjë punëtor i ish njësisë Mbrojtja dhe Siguria të mos mbetet pa punë.

“Përtej kësaj ka caktuar pagën minimale (mbi kushtet e tregut), sigurimin shëndetësorë dhe shujtën”, thuhet në komunikatë.


Punëtorët e sigurimit fizik kërkojnë kthimin në KEK

Punëtorët e sigurimit fizik në Korporatën Energjetike të Koosvës (KEK) kanë protestuar sot (e hënë) para objektit të kësaj kompanie dhe të Qeverisë së Kosovës. Ata kanë kërkuar kthimin si punëtorë të KEK-ut dhe jo të tenderohen vazhdimisht siç thanë jashtëligjshëm në sektorin privat. Si shenjë pakënaqësie ata hodhën edhe vezë para zyrave të KEK-ut në kryeqytet.

Përfaqësuesi i punëtorëve të sigurimit fizik në KEK, Nexhat Murati tha se ata janë një departament që i takon KEK-ut, andaj nuk duhet të tenderohen në sektorin privat, pasi po e pasurojnë vetëm oligarkët.

“Unë nuk po e kuptoj as këtë qeveri, s’po e kuptoj se kur thoshte se neve po na bëhet padrejtësi dhe dilte përmes mediave dhe bisedonin dhe jepnin deklarata shumë të mira dhe ndihmëse. Por tash çka është bërë, andaj ne kërkojmë një takim urgjent me kryeministrin e vendit ku do t’ia shpjegojmë gjërat në detaje edhe pse ne besojmë se ai është i informuar shumë mirë, pasi kem më së paku 30 e-maile zyrtare që i kemi dërguar…Oligarkët duhet të pasurohen në krah tonin dhe disa persona në KEK. Prokurimi, zyra ligjore, menaxhmenti i KEK-ut dhe bordi nuk janë askund”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica tha se sigurimi fizik në KEK padrejtësisht po tenderohet në sektorin privat. Ai kërkoi nga Qeveria që të realizojë atë që ka premtuar sa ka qenë në opozitë.

“Ky departament padrejtësisht është tenderuar deri më tani. Në kohën kur kjo qeveri ishte në opozitë kanë thënë se me të drejt janë tenderuar paligjshëm dhe ju e keni vendin në KEK. Kemi diskutuar shumë herë kur është paraparë që KEK-u si aset me rëndësi të veçantë të ketë sigurimin e vet dhe jo të jetë me sigurime private”, tha ai.

Protestuesit në duar mbanin pankarta me mbishkrimet “Qeveri më parë kur ishit në opozitë na thatë se kemi të drejtë, po sot!”, “Tenderi pasuron vetëm një pronar, ndërsa ne jemi një shoqëri e cila i takon KEK-ut”.

Prej vitit 2004 punëtorët e sigurimit fizik në KEK tenderohen në sektorin privat.


Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik në KEK, hedhin vezë para zyrave

Punëtorët e sigurimit fizik në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë protestuar sot para objektit të KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës.

Ata kanë kërkuar rikthimin si punëtorë të KEK-ut dhe jo të tenderohen vazhdimisht në sektorin privat.

Si shenjë pakënaqësie ata hodhën edhe vezë para zyrave të KEK-ut në kryeqytet.


Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik në KEK

Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në KEK proteston sot në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar përpara zyrave të KEK-ut dhe objektit të Qeverisë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Nexhat Llumnica, i cili nuk ka dhënë detaje për kërkesat e protestës, por ka njoftuar se protesta fillon në orën ora 10:00./21Media

Back to top button