Pupovci: Pohimet për “mbytje të zërit sindikalist” janë joreale

Qeveria nuk ka qëllim përçarjen e Sindikatës së Arsimit

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci në emisionin “21 Drejtpërdrejt” të RTV21, ka thënë se Qeveria nuk ka qëllim përçarjen e Sindikatës së Arsimit.
“Ne kemi qëllim që Sindikata dhe mësimdhënësit të reflektojnë, ta konsiderojnë me kujdes ofertën që është bërë nga Qeveria dhe t’i kthehen punës në shkolla”, ka thënë Popovci.

Pupovci: Kalkulimet për 50 euro nuk janë elektorale

Sindikata e Arsimit kërkon nga ekzekutivi 100 euro deri në miratimin e Ligjit për Paga, në mënyrë që të përballohet inflacioni por qeveria nuk e pranon si propozim duke ofruar 50 euro pasi sipas tyre buxheti i shtetit nuk është i mjaftueshëm për të përballuar kërkesën e arsimtarëve.
Pupovci ka thënë se kalkulimet për 50 euro nuk janë elektorale, sepse sipas tij po ishin elektorale do të ishte puna më e lehtë. Ai ka thënë se për momentin nuk ka mundësi që të ndahen 100 euro për mësimdhënësit.

Në kushte normale Qeveria nuk e subvencionon rrymën

Pupovci tutje ka theksuar se 120 milionë euro janë ndarë vetëm subvencione për rrymë. “Kjo është një situatë jonormale, Qeveria nuk  subvencionon rrymë në kushte normale”, ka thënë Pupovci. Mirëpo, ka thënë se në kushtet në të cilat ndodhemi të krizës energjetike, i duhet të ndaj mjete edhe për atë.
“Nëse ne vendosim t’i plotësojmë kërkesat e Sindikatave, çka nëse duhet hequr dorë nga subvencionet e rrymës, atëherë sigurisht do të duhet të shtrenjtohet rryma dhe ta pësojnë një numër shumë më i madh i qytetarëve”, ka thënë tutje Pupovci në “21 Drejtpërdrejt”.

Pupovci: Qeveria nuk e ka bllokuar procesin mësimor

Për deklaratat se Qeveria e ka bllokuar procesin mësimor, Pupovci ka thënë se nuk është Qeveria që po i mban të mbyllur shkollat, por greva të cilën po e organizon Sindikata e Arsimit.
“Fakti që Sindikata nuk dëshiron të pajtohet me kushtet që po i ofron Qeveria, nuk do të thotë që Qeveria po bënë bllokim të grevës”, ka thënë tutje Pupovci.

Pupovci: “Mbytje e zërit sindikalist” – është joreale

Tutje, Pupovci ka thënë se pohimet për “mbytje të zërit sindikalist” janë joreale, në kushtet siç theksoi ai kur Sindikata po arrin t’i mbajë të mbyllura 90% të shkollave.
Pupovci ka theksuar se zërit sindikalist ekziston dhe mbërrin derisa tek anëtarësia e vet./21Media

Back to top button