Pushteti i vendosur në moszbatim të draftit të BE-së për Asociacionin

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje është e vendosur që mos ta zbatojë draftin e BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Deputetë të kësaj partie thonë se ky draft nuk do të zbatohet përderisa Serbia nuk i kryen obligimet e saja që rrjedhin nga marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve dhe derisa BE-ja ka qasje të pabarabartë ndaj palëve.

Opozita ndërkaq kritikon kryeministrin Kurti për komplikim të procesit të dialogut dhe mosgatishmëri për zbatim të Asociacionit.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe mbetet tutje në diskursin politik vendës dhe ndërkombëtar. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu thotë se drafti i BE-së për Asociacioni nuk mund të zbatohet përderisa Serbia nuk zbaton detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.

“Nëse do të pranohej nënshkrimi i pakos së dokumenteve atëherë do ta pranonim draftin dhe drafti do të dërgohej në gjykatë. por meqë një pako e tillë s’është pranuar të nënshkruhet nga Serbia e cila si është është përmbajtur fare atyre marrëveshjeve dhe në anën tjetër ka trajtim të pabarabartë nga BE-ja s’mund të hymë në obligime të tilla dhe të zbatojmë asociacionin”, tha Kryeziu për rtv21.

Opozita nga ana e saj fajëson kryeministrin Kurti ta ketë komplikuar procesin e dialogut pikërisht me Asociacionin. Rashit Qalaj i PDK-së, Asociacionin e sheh si bllokadë për Kosovën.

“Kjo varet nga qeveria dhe kryeministri dhe është çështje që duke e bllokuar. Kosovën ka shume vite besoj Kosova ka hy ne obligime ndërkombëtarë në anën tjetër kemi disa marrëveshje të dëmshme nga qeveria”, tha ai për rtv21.

Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, konsideron se kryeministri Kurti me qëndrimin për Asociacionin e ka dëmtuar Kosovën.

“Kjo është pyetje për kryeministri e paaftë ka komplikuar procesin e Dialogut e ka kthyer Kosovën mbrapa dhe i ka krijuar favore Serbisë derisa ne na ka vendosur ne difavor duke prishur dhe rrezikuar miqësinë me partneret”, tha Zemaj.

Të njëjtin vlerësim e ka edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, sipas së cilës, Kurti me qëllim e ka bllokuar zbatimin e asociacionit.

“I ka premtuar e ka pranuar marrëveshje me plotni marrëveshje në Bruksel aneksin e Ohrit dhe letra zotimit qe është nënshkruar nga krerët e tregon qarte qe Kurti ka pranuar gjithçka dhe arsyeja qe kërkon të shkohet ne zgjedhje është qe te shkohet para zbatimit te asociacionit. Ky e ka pranuar por e ka bllokuar zbatimin sepse esh të vit fundit i qeverisjes. Kurti kërkon t’i ikë ketij obligimi ndërkombëtar”, tha ajo për rtv21.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shndërruar kohëve të fundit në kërkesën kryesore të faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës./RTV21/21Media

Back to top button