Pushteti thotë se ka ndalur proceset e dëmshme për Kosovën, opozita e sheh si proces eksperimental

Autoritetet në Kosovë thonë se gjatë periudhës katër vjeçare kanë arritur t’i ndalin proceset, sipas tyre, të dëmshme për Kosovën në kuadër të dialogut me Serbinë. Opozita ndërkaq thotë se procesi i dialogut për këto vite ka qenë një proces eksperimental me një diskurs të Qeverisë në dëm të Kosovës,
Dialogu Kosovë- Serbi i nisur 13 vjet më parë me synim normalizimin e raporteve mes palëve, vazhdon të jetë proces pa një epilog, me një numër marrëveshjes të arritura e pak nga to të zbatuara. Por çfarë ka arritur Kosova në këtë proces maratonik me Serbinë?
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje thotë se gjatë periudhës katër vjeçare kanë arritur t’i ndalin proceset, siç i ka cilësuar, të dëmshme për Kosovën në dialog me Serbinë të nisura nga e kaluara.
Deputetja Fitore Pacolli, vlerëson se gjatë mandatit të Qeverisë aktuale kanë mundësuar që Kosova të trajtohet si palë e barabart në këtë proces.
Por ndryshe mendon opozita. Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se procesi i dialogut për këto vite ka qenë një proces eksperimental me një diskurs të Qeverisë në dëm të Kosovës pa ndonjë të arritur.
Incizimi: Besnik Tahiri, shef i Grupit parlamnetar të AAK-së
“Procesi i dialogut për këto vite ka qenë një proces eksperimental pa një vizion se ku dëshiron të dal Kosova, çfarë do të përfitojnë qytetarët e Kosovës. Diskursi i qeverisë jo veç se ka qenë i çuditshëm, por ka qenë në dëm të Kosovës, fillimisht duke folur sa e mirë është marrëveshja e Brukselit, pastaj duke u dakorduar për marrëveshjen e Ohrit. Pastaj duke kritikuar lehtësuesin dhe gjithë ata që janë marr me dialog. Cila është alternativa e dialogut që ky vend dhe ky shtet duhet ta bëjë për të hyrë në BE dhe NATO. Nëse nuk ka pse nuk përgatitet ky dialog në formën më të morë të mundshme. Vetëm një takimi i Kurtit ka qenë takim që ka qenë i përgatitur, të gjitha tjerat kanë qenë takime për të bërë një fotografim, për të përçuar një mesazh elektoral dhe jo për t’i bërë një shërbim Kosovës dhe vendit”, tha Tahiri.
Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për normalizim marrëdhëniesh në shkurt të vitit të kaluar, ndërsa në mars të atij viti për aneksin e zbatimit të saj pro deri më tani kjo marrëveshje nuk ka gjetur zbatim.
Bashkimi Evropian ka thënë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme dhe se të dyja palët kanë për detyrë ta zbatojnë atë.
Derisa SHBA-ja ka thënë se presin që Kosova dhe Serbia ta marrin seriozisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore, pas ngecjeve në vitin e fundit./RTV21/21Media