Putin bisedon me Erdoganin për bllokadën në portet ukrainase

Presidenti rus, Vladimir Putin i tha homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, se Moska është e gatshme të punojë me Ankaranë për të liruar portet ukrainase që ka bllokuar, teksa Kremlini po vazhdon pushtimin e Ukrainës.
Putin dhe Erdogan sot zhvilluan një bisedë telefonike, gjatë bisedës Putin theksoi “gatishmërinë” e Rusisë “për të kontribuar për transitin e papenguar detar të mallrave në koordinim me partnerët turq”, citohet të ketë thënë Putini.
“Kjo vlen edhe për eksportet e drithërave nga portet ukrainase”, tha Putin, sipas Kremlinit.
Kremlini tha se dy liderët kanë diskutuar “për ofrimin e lundrimit të sigurt në Detin e Zi dhe Detin Azov” dhe për “eliminimin e kërcënimit nga minat në ujërat e tyre”.
Dhjetëra anije me mallra janë bllokuar në portet ukrainase të cilat janë të rrethuara nga forcat ruse, duke ndërprerë eksportin e grurit dhe produkteve të tjera nga Rusia dhe Ukraina. Këto dy shtete eksportojnë pothuajse 30 për qind të eksporteve të grurit në botë.
Presidenti i Turqisë Erdoğan deklaroi se ka nevojë për hapa që do të minimizojnë efektet negative të luftës dhe do të ndërtojnë besimin duke rivendosur sa më shpejt terrenin e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.
Erdogan theksoi se nëse të dyja palët bien dakord në parim, ata janë të gatshëm të takohen me Rusinë, Ukrainën dhe Kombet e Bashkuara (OKB) në Stamboll dhe të luajnë një rol në një mekanizëm të mundshëm vëzhgimi./21Media

Back to top button