Përfundon takimi SHBA-Rusi në Riad, Moska e konsideron të suksesshëm

(Lajm i përditësuar)
Përfundon takimi SHBA-Rusi në Riad, Moska e konsideron të suksesshëm
Departamenti i Shtetit ka bërë të ditur se takimi i delegacionit amerikan me atë rus në Riad të Arabisë Saudite, ka përfunduar pas katër orësh.
Yuri Ushakov, këshilltari për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se takimi ka qenë i sukseshëm.
Ushakov ka thënë se palët janë pajtuar për kushtet e një takimi mes Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, sipas agjencive shtetërore të lajmeve në Rusi.
Ai ka thënë se një takim mes dy liderëve nuk ka mundësi të zhvillohet javën tjetër, dhe se nuk ekziston një datë konkrete për takimin.
Pala amerikane ka thënë paraprakisht se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Pala ruse, në anën tjetër, ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.
Kremlini: Putin do të bisedojë me Zelenskyn, ‘nëse është e nevojshme’
Teksa vazhdojnë bisedimet, Kremlini ka thënë se presidenti Putin është i përgatitur për të biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, “nëse është e nevojshme”.
“Vetë Putin ka thënë se është i gatshëm të negociojë me Zelenskyn, nëse është e nevojshme”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve.
“Megjithatë, duhet diskutuar bazën ligjore të marrëveshjeve, duke marrë parasysh që legjitimiteti i Zelenskyt mund të vihet në pikëpyetje”, ka thënë ai.
Peskov ka thënë se Rusia nuk është kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, për aq kohë sa nuk përbën kërcënim për sigurinë.
“Kjo është e drejtë sovrane e secilit shtet. Po flasim për integrim dhe procese ekonomike, dhe në këtë pikë, natyrisht, askush nuk mund të diktojë diçka për një shtet tjetër. Nuk do ta bëjmë këtë”.
“Por, qëndrimi ynë në çështjet e sigurisë, aleancat ushtarake, është krejt tjetër. Ajo është temë tjetër dhe të gjithë e dinë këtë”.
Larg Riadit, Ukraina u trondit nga sulmet gjatë natës
Brenda natës, mbrojtja ajrore rrëzoi 103 nga 176 dronë të lëshuar nga Rusia, thotë Forca Ajrore e Ukrainës.
Ata u qëlluan në disa rajone, duke përfshirë Kievin, ku mund të shihej tymi që ngrihej mbi qytet. Të hënën në mbrëmje, banorët e Kievit u udhëzuan të mbuloheshin nga kryetari i bashkisë.
Dëme u raportuan në Kirovohrad, Kharkiv, Kiev dhe Cherkasy.
67 dronë të tjerë humbën gjatë fluturimit, shton forcat ajrore.
SHBA dhe Rusia nisin bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë
SHBA dhe Rusia po mbajnë bisedime në Arabinë Saudite për luftën në Ukrainë – diskutimet e para ballë për ballë midis dy vendeve që nga pushtimi në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov po takohet me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio në Riad, por as Ukraina dhe asnjë vend evropian nuk është i ftuar.
SHBA thotë se bisedimet janë hapi i parë për të parë nëse Rusia është “serioze” për përfundimin e luftës, ndërsa Rusia thotë se qëllimi është normalizimi i marrëdhënieve me Amerikën.
Por presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se nuk do të njohë asnjë marrëveshje të arritur nga bisedimet në të cilat nuk është përfshirë.
Udhëheqësit evropianë gjithashtu duan të përfshihen – dje ata mbajtën një samit urgjent. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Sir Keir Starmer tha se do të konsideronte dërgimin e trupave të Mbretërisë së Bashkuar në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje të qëndrueshme, por vendet e tjera hezituan./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?