PZAP ndryshon vendimin e KQZ-së: Nuk lejohet hapja e Qendrave të Votimit jashtë përfaqësive diplomatike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) lidhur me hapjen e Qendrave të Votimit jashtë përfaqësive diplomatike. PZAP vlerësoi se hapja e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike është në kundërshtim me ligjin.

Me këtë vendim, PZAP-ja ndryshon vendimin e KQZ-së sa i përket qendrave të votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve, si dhe listën e qendrave të votimit, ashtu që si qendra të votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, caktohen përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësirat e tyre.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i cili vendim është marrë sot (30 nëntor 2025), qendra të votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, caktohen përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësirat e tyre.

“PRANOHET e bazuar ankesa ZP.A.nr.3/2025, e datës 27.11.2025 e parashtruar nga Subjekti Politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me seli në Prishtinë, NDRYSHOHET Vendimi Nr.01/3438- 2025, i datës 26.11.2025 i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, sa i përket Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve si dhe listën e qendrave të votimit, ashtu që Qendra të Votimit jashtë Kosovës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës Kosovës, që do të mbahen me 28 dhjetor 2025, caktohen përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësirat e tyre. II. Lista e Qendrave të Votimit, si në pikën I të këtij vendimi përbëhet vetëm nga Qendrat e Votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësirat e tyre”, thuhet në vendim.

Sipas PZAP-së, me rastin e marrjes së vendimit nga KQZ për Miratimin e Qendrave të Votimit Jashtë Kosovës, Numrin e Vendvotimeve dhe Numrin Maksimal të Votuesve, nuk janë respektuar dispozitat ligjore nga neni 96 paragrafi 3 i Ligjit Nr. 08/L – 228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, nenin 2 paragrafi 2.2 i Rregullore Zgjedhore Nr,05/2024, Themelimi dhe Menaxhimi i Qendrave të Votimit.

Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, parashihet që: “3 Votimi jashtë Kosovës organizohet nga KQZ-ja dhe votuesit mund të votojnë duke u përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit, në momentin e regjistrimit përmes platformës së KQZ-së: 3.1. fizikisht, në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësira të tyre, të cilat shndërrohen në qendra të votimit sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ-ja për adaptimin në qendra të votimit. Kjo mënyrë votimi nuk aplikohet në zgjedhje lokale; 3.2. duke dërguar fletëvotimet përmes kutisë postare të KQZ-së, në postën e Kosovës; 3.3. duke dërguar fletëvotimet përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja përmes dhe me lehtësimin e përfaqësive diplomatike, jashtë Kosovës.

PZAP vlerëson se pretendimet e KQZ të shprehura përmes përgjigjes në ankesë se qëndrimi i shumicës në këtë fazë ka qenë i nevojshëm që të mos shkaktohet dëm në proces të regjistrimit të votuesve jashtë vendit, gjegjësisht të mos shkaktohen vonesa, janë pretendime të paqëndrueshme.

“PZAP vlerëson se lejimi i qendrave të votimit vetëm brenda hapësirave të përfaqësive diplomatike është paraparë si masë mbrojtëse për të siguruar integritetin e votës dhe kjo asesi nuk mund të parashihet si pengesë në ushtrimin efektiv të të drejtave të votimit të shtetasve të Republikës së Kosovës që banojnë jashtë territorit të Kosovës”, thuhet në vendim.

Paneli po ashtu vlerëson se Republika e Kosovës iu ka garantuar të drejtën e votës edhe shtetasve që jetojnë jashtë vendit, mirëpo gjithashtu ka përcaktuar edhe kushte ligjore për ushtrimin e të drejtës në fjalë.

“Paneli vlerëson se ligjvënësi nuk lejon fare alternativë për Qendrat e votimit jashtë Kosovës duke i përcaktuar si Qendra të votimit të vetme Përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësirat e tyre, kjo edhe për faktin se sipas Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës rregullohet edhe organizimi i zgjedhjeve ku neni 96 par.4 parasheh se Votimi në përfaqësi diplomatike organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë…”, thuhet tutje në vendim.

Pra, PZAP thekson se në tërësi procesi i votimit jashtë Kosovës është i përcaktuar që të organizohet dhe mbahet në Përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, jo edhe në vendet tjera jashtë Përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës

“Paneli vlerëson se alternativë lejohet vetëm për qendrat e votimit brenda vendit dhe atë sipas Rregullores Zgjedhore e KQZ-së 05/2024 neni 2 par. 2 pika 2.1 parasheh se Qendrat e votimit themelohen në ndërtesa të institucioneve publike, me prioritet në objektet arsimore, kulturore, sportive dhe të ngjashme, ndërsa par. 3 i kësaj rregullore parasheh se në rastet kur nuk mund të aplikohet paragrafi 2.1 i këtij neni KQZ me vendim cakton vendndodhjen e QV në ndërtesa private, në pronësi të personave fizikë ose juridikë, apo hapësira tjera alternative”, thuhet më tej.

Paneli vlerëson se KQZ me vendimin e 26 nëntorit 2025 për Miratimin e Qendrave të Votimit Jashtë Kosovës, Numrin e Vendvotimeve dhe Numrin Maksimal të Votuesve, nuk ka respektuar dispozitat e lartcekura lidhur me krijimin e qendrave të votimit jashtë Kosovës.

Kjo ngase, sipas vendimit, KQZ ka për obligim që vendndodhjen e qendrave të votimit ta caktojë në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, për votim jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare.

“Themelimin e qendrave të votimit KQZ duhet të bëjë sipas kritereve dhe kushteve të përcaktuara me ligj dhe aktet nënligjore dhe vendndodhja e tyre të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara. Paneli ka vendosur që të ndryshoj vendimin e atakuar sa i për ketë themelimit të Qendrave të Votimit për votuesit jashtë vendit”, thuhet në vendim, me të cilin u pranua si e bazuar ankesa e LDK-së.

Ndryshe, sipas njoftimit publik të datës 27 nëntor 2025, KQZ në mbledhjen e 84-të, në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ka marrë vendim për miratimin e Qendrave të Votimit për votimin jashtë vendit. Ndërkaq, përveç përfaqësive diplomatike, KQZ ka njoftuar se sipas të njëjtit vendim Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues”, thuhej në njoftim.

Lidhur me vendimin e KQZ-së, të shtunën (29 nëntor 2025) ka reaguar Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Sipas IKD-së hapja e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat zgjedhore.

“Kjo mënyrë rrezikon integritetin e procesit zgjedhor dhe hap mundësi për keqpërdorime. Në rast të ankesave potenciale, krijohen mundësitë për anulimin e votave në këto Qendra të Votimit, pikërisht për shkak se ligji nuk e lejon hapjen e këtyre qendrave”, thuhej në reagim.

IKD bëri thirrje që KQZ të ndërpresë veprimet që bien ndesh me ligjin dhe rregullat zgjedhore.

“Respektimi i ligjit përbën themelet e integritetit zgjedhor dhe të funksionimit demokratik të institucioneve. Prandaj, KQZ ka detyrim që brenda mandatit të saj të përcaktuar me ligj, të sigurojë që proceset zgjedhore të jenë plotësisht të ligjshme dhe të besueshme”, thuhej në reagim.

Back to top button