Qalaj: Mos konstituimi i Kuvendit po bëhet qëllimshëm

Partia Demokratike e Kosovës tha se krimi i organizuar ka hyrë në politikë dhe politika ka hapur dyert për të, derisa komentojnë arrestimet e kryera dje nga operacioni i Policisë së Kosovës.
Lidhur me arrestimet e djeshme nga operacioni i Policisë së Kosovës, sipas PDK-së, i arrestuari kryesor Shemsi Bahtiri për trafikimin e lëndëve narkotike është i afërt më Lëvizjen Vetëvendosje dhe udhëheqjen e saj, raporton kp
Në një konferencë për media, anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi tha se Kosova po përballet me krizë të shumëfishtë të sigurisë kombëtare, publike dhe njerëzore.
Sipas saj, njëzet e gjashtë dështimet e seancës konstituive nuk janë thjeshtë një statistikë, por janë simbol i një bllokade të qëllimshme.
“Sot Kosova përballet me një krizë të shumëfishtë të sigurisë kombëtare, publike e njerëzore. vetëm në operacionin fundit të Prokurorisë Speciale të Kosovës i koduar ‘Qielli i Thyer’ është arrestuar një prej organizatorëve kryesor të një rrjeti të trafikut të drogës. Ky individ nuk është thjeshtë një emër i botës së krimit. Ai si duket është i afërt me LVV-në dhe udhëheqjen e saj. Një figurë që ka qenë i pranishëm në fushatat e tyre, aktivitetet e tyre politike…Krimi i organizuar ka hyrë në politikë dhe politika ka hapur dyert për të. Kjo është linja e kuqe që është kaluar… Njëzet e gjashtë seanca të dështuara për konstituimin e kuvendit nuk janë thjeshtë një statistikë. Janë simboli i një bllokade të qëllimshme. Është peng-marrje politike”, tha Kabashi.
Kabashi potencoi se dështimet e ish qeverisë Kurti dhe aspektin e sigurisë janë të pamohueshme dhe të rrezikshme.
Anëtarja e kryesisë së PDK-së, Besa Kabashi potencoi se qeveria Kurti ka lënë pas një trashëgimi të thellë të dëmtimit të marrëdhënieve strategjike me aleatët, duke përfshirë SHBA-në, shtetet e QUINT-it dhe Bashkimin Evropian.
“Dështimet e ish qeverisë Kurti në të gjitha aspektet e sigurisë janë të pamohueshme dhe të rrezikshme. Qeveria Kurti ka lënë pas një trashëgimi të thellë të dëmtimit të marrëdhënieve strategjike me aleatët tonë, SHBA-në, shtetet e QUINT-it dhe Bashkimin Evropian. Kjo ndodhi përmes mungesës së përfaqësimit serioz në iniciativat e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, injorimit të diplomacisë së mbrojtjes në janë kohë kur Serbia forcon tutje lidhjet me Rusinë dhe skandaleve të njëpasnjëshme në prokurim dhe menaxhim buxhetor që kanë gërryer besimin e partnerëve…Sot ushtarët, policët , zjarrfikësit dhe personeli i sigurisë janë pa sigurim shëndetësor, jetësor dhe pa paga dinjitoze…Shteti ynë ende nuk ka mekanizma për parandalimin e hershëm të kërcënimeve moderne siç janë kërcënimet kibernetike, dezinformomi dhe sulmet hibride”, tha Kabashi.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj tha se krimi në Kosovë po lulëzon dhe po përhapet në të gjitha fushat.
Në konferencë për media, Qalaj komentoi arrestimin e Shemsi Bahtirit, për çka tha se ky i fundit nuk është vetëm një adhurues apo militant i thjeshtë, por që sipas tij merr pjesë në çdo takim të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Krimi në këtë vend fatkeqësisht po lulëzon dhe po përhapet në të gjitha fushat e jetës…Policia e Kosovës ka rezultate mirëpo, ka vështirësi, Ka vështirësi për shkak se ka shumë skandale. Kur arrestohet asamblisti i Vetëvendosjes në Shqipëri para dy vitesh. Tash, arrestohet eksponent i LVV-së, i pikës qyteti i vjetër të Degë së Prishtinës. Një njeri i cili është kudo në takime. Nuk është një adhurues i LVV-së i thjeshtë, nuk është një militant i thjeshtë, por njeri që merr pjesë në çdo takim të kësaj pike të LVV-së…Kjo nuk është rastësi, Shemsi Bahtiri është hetuar edhe në vitin 2019 për gjërat e njëjta së bashku me djalin e tij. Si është e mundur që një parti aq e madhe politike të mos ketë informata për personin në fjalë”, u shpreh Qalaj.
Krahas kësaj, Qalaj tha se mos konstituimi i legjislaturës së nëntë po bëhet qëllimshëm nga Vetëvendosje.
“A është i rastësishëm mos konstituimi i institucioneve? Për shkak se ne po themi se nuk i kanë numrat për qeveri. Ne po themi që si kanë numrat për votimin e kryetares së kuvendit. Mendoj, që është edhe një çështje tjetër. Po të funksiononte kuvendi, deputetët do të diskutonin në foltoren e kuvendit për skandalet, për mafinë energjetike, për mbetjet shtazore dhe për gjitha skandalet që jemi duke i përjetuar si shtet, do të diskutonim edhe për familjarët që licencojnë kompani për shitblerjen e rrymës…Do të thërrisnim ministrat në interpelancë po të kishim qeveri. Ndoshta ky është edhe qëllimi që mos të kemi mundësinë që në parlamentin e Kosovës, në komisionet parlamentare mos t’i diskutojmë çështjet që janë jetike për këtë vend, skandaleve, e keqmenaxhimit dhe zhytjes së kësaj qeverie në botën e krimit”, tha Qalaj.
Kujtojmë, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar edhe pas 26 seancave të deritanishme pasi propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu nuk po arrin të sigurojë votat e mjaftueshme. Vazhdimi i njëzeteshtatë është thirrur për ditën e enjte.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?