“Qasja e BE-së ndaj Kosovës e gabueshme”

Deputet të LVV-së thanë se kërkesa për hapjen urës të Lumit Ibër, krijon probleme të reja në dialog dhe nuk shkakton kriza. Por ata thonë se BE-ja po vazhdon të mbajë masat, sipas tyre, të padrejta dhe po ndërhynë në çështje të brendshme të Kosovës. Por opozita thotë se qeveria po shkakton kriza të vazhdueshme pa një rezultat të dobishëm për vendin. Njohës të fushës veprimet e qeverisë po i shohin si një taktizim në prag të fushatës zgjedhore.
Deputetja e partisë në pushtet, Arbëresha Kryeziu i tha RTV21 se askush nuk duhet të frikësohet nga kërkesat për hapjen e urës mbi lumin Ibër të cilat, sipas saj, nuk do të shkaktojnë telashe në dialog. Kryeziu iu përgjigj Bashkimit Evropian që kërkoi zgjidhjen e ëështjes së urës në kuadër të dialogut në Bruksel.
“Lumi Ibër është i Kosovës dhe nuk besoj që dikush duhet frikësuar që duke bërë një kërkesë të tillë, po shkaktojmë telashe në dialog. Dialogu tashmë ka telashe serioze dhe kjo jo falë Kosovës, por falë Serbisë e cila në vazhdimësi ka vepruar në kundërshtim me kërkesat që BE i ka pasur ndaj palëve. BE duhet sot të angazhohet seriozisht në nxjerrjen e vendimit për heqjen e masave të vëna padrejtësisht ndaj Kosovës. Mendoj që është gabim kjo qasje ndaj njërës palë, me kritika të vazhdueshme madje edhe për vendimit që janë komplet çështje e brendshme e Kosovës”, tha Kryeziu.
Diskutimi dhe kërkesa për hapjen ose jo të urës mbi Lumin Ibër, po shihet si një krijim i një situate të re të krizës nga përfaqësues të partive në opozitë.
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi tha se që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Kurti vendi ka kaluar në kriza të njëpasnjëshme.
“Po ne në kriza vazhdimisht kjo qeveria ska ditë me ba asgjë tjetër përveç krizave, dhe shto këtu që vendi është ende nën masa të BE-së, pa marr parasysh se çka është, këto gjëra duhet të bëhen në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare”, tha Krasniqi.
Çështja e hapjes së urës në Mitrovcë u ringrit sërish nga drejtues të Policisë së Kosovës në fund javën e kaluar, pas një periudhe prej disa vitesh. Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë tha se ajo është përgjegjëse për sigurinë duke kërkuar zgjidhjen përmes procesit të dialogut. Analistët në Kosovë thonë se hapja e temës së re, asaj të urës mbi Ibër është edhe një manovër e qeverisë në prag të fushatës zgjedhore.
Albinot Maloku, politolog, tha se përveç urës edhe veprimet e tjera në veri ishin vetëm për konsum të brendshëm.
“Duhet përmendur që zgjedhjet në BE janë pjesa thelbësore e cila i lejon vendet të manovojnë me diçka që nuk ka asnjë peshë të vetme dhe bëhen vetëm për konsum të brendshëm, dhe hapja e urës po shkon në këtë drejtim dhe nuk ka ndonjë vlerë të mirëfillt në fuqizim dhe faktorizimin e Kosovës dhe prap se prap do të futet në dialog dhe mbetët në duar të faktorit ndërkombëtare pra qeveria e Kosovës çdo çështje e ka bërë kursor të dialogut pra pa ndonjë peshë ndërkombëtare vetëm çështje politike e brendshme”, tha Maloku.
Marrëveshja për lëvizjen e lirë midis Kosovës dhe Serbisë u arrit në vitin 2015 pas një periudhe disa vjeçare të bllokadës së saj nga serbët e veriut, në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve për shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës në veri. Por marrëvehsja prej vitesh nuk është zbatuar./RTV21/21Media