“Që nga ardhja e LVV-së në pushtet kemi parë linçim të mediave”

Ndër problemet më serioze me të cilat vazhdon të përballet Kosova sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, janë: mos-pavarësia e gjyqësorit, kufizimi i lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, përfshirë dhunën ose kërcënimet ndaj gazetarëve, korrupsioni serioz qeveritar, dhuna e gjerë me bazë gjinore, dhe kërcënime për dhunë ndaj pakicave etnike ose komuniteteve tjera të margjinalizuara.

Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, institucionet e vendit kanë bërë pak për të ndryshuar gjendjen.

“Qeveria ndërmori hapa të besueshëm, por jokonsistent për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut”.

DASH, tha se kanë vazhduar raportet e besueshme se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese, elemente kriminale dhe grupe fetare kërkuan të frikësonin përfaqësuesit e mediave dhe përdorën dhunë ose kërcënime për dhunë ndaj gazetarëve.

Sfidat me lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në Kosovë theksohen edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Kemi rastin e gazetarit të RTV21, Burim Zariqit i cili është sulmuar në veri … por kur flasim edhe për lirinë e shprehejes mund të themi që prej që është ardh LVV-ja në pushtet ka filluar edhe një fushatë linçuese ndaj mediave dhe gazetarëve dhe kjo edhe ka vazhduar …”, tha Rexha për rtv21.

Po ashtu, Departamenti Amerikan i Shtetit përmend dështimet e sistemit gjyqësor për të ndjekur penalisht korrupsionin, duke vënë në dukje se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan me dënime dhe se kryesisht këto dënime janë të buta.

Më tej, DASH përmend aktgjykimin ndaj ish-ministrit Nenad Rikalo lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe aktgjykimet ndaj ministres Rozeta Hajdari dhe zëvendësministres Liza Gashi.

Ngecjet në luftimin e korrupsionit të profilit të lartë, pasqyrohen edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit nuk ka shënuar rritje të raportimeve që ndërlidhjen me korrupsion, ndoshta edhe për faktin që mandati i Agjencisë nuk përfshinë hetimin penal të rasteve korruptive. Raportime të tilla ka mundur të ketë në Prokurorinë e Shtetit apo Policinë e Kosovës si institucione të sundimit të ligjit. Aktualisht, Agjencia është duke kryer verifikimin e plote të pasurisë, përmes hetimit administrativ, për rreth 1716 zyrtarë publikë. “

Shqetësuese sipas këtij raportit të DASH-it është edhe dhuna në baza gjinore dhe vrasjet e grave.

“ Ne të gjitha këto i dijmë por kur na vijnë raporte të tilla bëjmë pak zhurmë pra kjo nuk është asgjë përveç asaj që ne e jetojmë çdo ditë, ne shohim vrasjet që po na përsëriten shohim dënime të ulta për kriminelët, shohim edhe korrupsionin…”, tha Jashari.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për të drejtat e njeriut për vitin 2023, vë në pah shkeljen e këtyre të drejtave në forma të ndryshme./RTV21/21Media

Back to top button