Kaloni te përmbajtja kryesore

​Qendra Kinematografike e Kosovës sërish pjesë e Festivalit të Filmit në Kanë

Qendra Kinematografike e Kosovës po përfaqëson sërish industrinë filmike të vendit në një nga ngjarjet më prestigjioze të kinemasë botërore – Festivalin e Filmit në Kanë të Francës.

Ashtu si në vitet e kaluara, QKK ka ngritur shtandin e saj në Marketin e Festivalit, këtë vit përsëri në bashkëpunim me Shqipërinë, duke dëshmuar përkushtimin për prezantimin dhe zhvillimin ndërkombëtar të kinematografisë shqiptare.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka theksuar rëndësinë e përkushtimit të gjatë që qëndron pas një filmi të realizuar:

“Shumë vite punë në prapaskena kalohen në bashkëpunim, rrjetëzim, ngritje fondesh, përshtatje vizioni artistik për distribuim dhe promovim ndërkombëtar e vendor, në mënyrë që produkti kinematografik një orësh e gjysmë të shfaqet i përfunduar në ekranin e madh”, ka shkruar Kurti.

Në Kanë, përveç prezencës institucionale, tre kineastë nga Kosova – Samir Karahoda, Kaltrina Krasniqi dhe Sami Mustafa – janë të angazhuar në zhvillimin e projekteve të tyre filmike:“Imazhe të Humbura” – Samir Karahoda, “Bleach” – Kaltrina Krasniqi, “Symphony of Season” – Sami Mustafa.

Kjo pjesëmarrje përfaqëson një mundësi të rëndësishme për rrjetëzim, bashkëpunime të reja dhe avancim të mëtejshëm të projekteve filmike kosovare në skenën ndërkombëtare.

Shtandin e QKK-së mund ta vizitoni në International Village Riviera, Pavijoni nr. 137, deri më 21 maj 2025 (e mërkurë).

Për Kosovën, prania në Kanë nuk është vetëm simbolike – është një dëshmi e rritjes së vazhdueshme të kinemasë vendore dhe përkushtimit për ta vendosur atë në hartën e filmit botëror.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button