Kaloni te përmbajtja kryesore

Qendrat e numërimit dhe vendvotimet edhe në zgjedhjet lokale do të vëzhgohen me kamera

Sikur në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, edhe në zgjedhjet lokale që do të mbahem më 12 tetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të vendosë kamera në çdo vendvotim.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Kamerat do të përdoren edhe në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Në të gjitha këto hapësira do të përdoren të njëjtat pajisje që u shfrytëzuan edhe gjatë zgjedhjeve të muajit shkurt. Numri i vendvotimeve ku do të zhvillohet procesi i votimit më 12 tetor dhe që do të mbulohen me kamera regjistruese është 2,625, në 2,571 prej të cilave do të bëhet numërimi i fletëvotimeve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe votave të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Gjithashtu, do të mbulohen qindra tavolina numërimi në 38 Qendra Komunale të Numërimit dhe dhjetëra të tjera në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, deklaroi Elezi.

Ai tha se pozicionimi i kamerave nuk do të cenojë aspak fshehtësinë e votës, kurse lidhur me ruajtjen e videove të regjistruara, Elezi ka sqaruar se këto pamje nuk do të monitorohen nga KQZ gjatë ditës së zgjedhjeve.

“Vendosja e kamerave regjistruese brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit zgjedhor të procesit të votimit dhe numërimit të fletëvotimeve në vendvotim. Kamerat në vendvotime do të vendosen në mënyrë të tillë që të respektohet plotësisht fshehtësia e votës. Ato do të pozicionohen larg kabinave të votimit, në një skaj tjetër të hapësirës, dhe nuk do të kenë asnjë mundësi të regjistrojnë momentin kur votuesi shënon në fletëvotim preferencën e tij.  Në ditën e zgjedhjeve KQZ-ja nuk do t’i monitorjë pamjet nga këto kamera, pra regjistrimi do të bëhet në mënyrë pasive dhe në videoregjistrime mund të sigurohet qasje vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve të zbatimit të ligjit. Ruajtja e këtyre regjistrimeve do të jetë e përkohshme, deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, që sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme duhet të bëhet brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.”, theksoi Elezi. /21Media

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button