Qerkini i prekur si po shënohet Dita e të Zhdukurve: Gruaja ime ende bërtet “erdh djali”

(Lajm i përditësuar) 

Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, është shprehur i prekur nga mënyra si po shënohet Dita e të Zhdukurve të enjten. Ai ka thënë se sot nuk shihet asnjë pankartë treguese për këtë ditë, e asnjë organizim tjetër.

“Ka nisë me u zbehë në shtetin tonë çështja e personave të pagjetur”, ka thënë ai.

Qerkini ka thënë se çështja e të zhdukurve dhunshëm gjatë luftës duhet të jetë prioritet në çdo diskutim, ndërkohë përmendi traumat që kanë nënat të cilat presin fëmijët e tyre.

“Po i kërkojmë edhe 132 fëmijë të pagjetur. Në Republikën e Kosovës ka shumë nëna që as nuk flenë, sikur që nuk fle as gruaja jem. Ajo natën bërtet ‘erdh djali’. More flej çfarë djali, ‘o pasha Zotin shkallëve po i nij’. Të gjitha ato nëna e kanë të njëjtën dhimbje. Në vend se të bëhet një memorial në Batajnicë, atje po bëhen manovra. Nuk punohet sa duhet. Mos na harroni ne familjarëve. Të flasim çka do të flasin më 2 maj”, ka theksuar Qerkini.

Osmani: Zhdukja me dhunë e qytetarëve tanë, përfshi fëmijë përpjekje e qartë për zhdukjen e një populli

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, me rastin e 27 prillit, ditës së të zhdukurve me dhunë në luftën e fundit në Kosovë, ka thënë se zhdukja me dhunë e mbi mijëra qytetarëve tanë, përfshi shumë fëmijë ishte përpjekje e qartë për zhdukjen e një populli.

Sipas Osmanit,  kjo është një ndër krimet më të llahtarshme të regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

“Si çdo ditë, por veçanërisht sot, kujtojmë mbi 1600 bashkëqytetarët tanë të zhdukur me dhunë në luftën e fundit në Kosovë. Sot mendjen e kemi te familjarët e tyre dhe solidarizohemi me dhimbjen e ankthin e tyre të çdoditshëm. Zhdukja me dhunë e mbi mijëra qytetarëve tanë, përfshi shumë fëmijë ishte përpjekje e qartë për zhdukjen e një populli. Kjo është një ndër krimet më të llahtarshme të regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Në ditët si kjo duhet ta kuptojmë jo vetëm se sa e rëndësishme është që të kërkohet kthimi i të gjithë të zhdukurve me dhunë, por mbi të gjitha se sa e rëndësishme është që ta vëmë në vend drejtësinë për ta”, ka thënë Osmani.

Dita e të Pagjeturve, në orën 20:30 ndalen dritat për pesë minuta 

Më 27 prill, të enjten shënohet Dita e të Pagjeturve në Kosovë. Po ashtu, me këtë datë shënohet përvjetori i 24-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona.

Edhe rreth 1600 persona ende figurojnë të zhdukur në Kosovë nga lufta e fundit.

Shoqata për Kthimin e Shqiptareve te Shpërngulur nga Trojet e Veta, në shënim të Ditës për të Pagjeturit dhe shënimit të masakrës së Mejës, ka propozuar që për dy minuta të ndalen dritat në gjithë Kosovën.

Kjo është paraparë për në orën 20:00./21Media

Back to top button