Qeveria e ardhshme me detyra të vështira

Bashkimi Evropian në reagimin e parë pas zgjedhjeve në Kosovë është shprehur se pret të formohet sa më shpejtë qeveria dhe të vazhdojnë bashkëpunimin me të. Përfaqësues të lartë të BE duke theksuar nevojën për ratifikimin e marrëveshjeve nga Plani i Rritjes në mënyrë që Kosova të përfitojë nga këto mjete të BE-së, ia rikujtuan autoriteteve në Kosovë nevojën për rikthim në dialog dhe përmbushje të marrëveshjeve të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, lehtësuar nga BE-ja, vazhdon të jetë e vetmja rrugë që të dyja palët të arrijnë progres në rrugëtimin evropian. Presim që të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, si dhe ato të mëhershme nga dialogu, të zbatohen pa vonesa të reja dhe pa parakushte. BE mbetet e gatshme të mirëpret një takim të nivelit të lartë sapo të përmbushen kushtet”

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 28 dhjetorit e nxorën fitues LVV-në me 49.34%. Lideri i LVV-së, pas fitores në zgjedhje, deklaroi se prioritet i tyre është formimi sa më i shpejtë i institucioneve dhe ratifikimin në Kuvend të marrëveshjeve që lidhen me planin e rritjes. Kurti tha se pret bashkëpunim me subjektet e tjera politike. Megjithatë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Jeton Kelmendi, tha se prioritet dhe kërkesë kryesore e bashkësisë ndërkombëtare mbetet zbatimi i marrëveshjeve që ka pranuar qeveria Kurti 2.

“Prioritet kryesor për BE-në dhe veçanërisht SHBA-të mbetet zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit …”, tha Kelmendi.

Subjektet politike para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, gjatë takimeve të tyre me qytetarët asnjëherë nuk kanë përmendur detyrimet që presin Kosovën në arenën ndërkombëtare, gjë kjo e cila u konsiderua si mungesë e guximit nga ana e tyre. Ndërkohë, analisti politik, Adrian Zeqiri, vlerëson se qeveria e ardhshme nuk ka arsye të mos zbatojë marrëveshjet që vet ka pranuar.

“Tash kemi LVV-në që ka marr votën e qytetarëve, fuqinë politike e ka për t’i zbatuar marrëveshjet…”, tha Zeqiri.

Përveç deklaratave të zyrtarëve të BE-së, pak ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit SHBA-ja, miratoi ligjin për autorizimin e mbrojtjes kombëtare të SHBA-së, përmes së cilit rikthyen fokusin nga Ballkani perëndimor përfshirë Kosovën. Dokumenti i miratuar në kongresin amerikan dhe i nënshkruar nga presidenti Trump, përfshinë një seksion të veçantë për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, i cili kërkon zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe ankesit të Ohrit, marrëveshje kjo, që në Kosovë nga shumë kush u konsiderua e dëmshme për Kosovën.

Back to top button